E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijojnë shkarkimet në 3 HEC-e, në Shkodër situatë problematike

SHKODER - Zgjerohet ndjeshëm harta e përmbytjeve në Shkodër. Nga të dhënat më të fundit të Shtabit të Emergjencave në këtë qark, raportohet se sipërfaqja e përmbytur shkon në 6000 hektarë, ndërsa janë të izoluara nga uji 717 banesa. 

Komuna më e prekur është ajo e Anës së Malit. Në këtë komunë, fshatrat Goricë, Muriqan dhe Obot, prej disa ditësh vijojnë të jenë të izoluar totalisht. Banorët në këtë zonë apelojnë për ndërhyrje emergjente. Sipas tyre, dëmet janë shumë të mëdha në bujqësi, ndërsa situata më emergjente paraqitet për bagëtitë, rezervat ushqimore të të cilave janë drejt përfundimit. Fshati Obot është fshati më problematik në të cilin mund të lëvizësh vetëm përmes varkave. Në komunën Ana e Malit ndodhen nën ujë 1800 ha tokë, ndërsa të izoluara nga uji janë 260 shtëpi. 

Si pasojë e përmbytjeve vijojnë të jenë të bllokuara rrugët, Shkodër-Dajç, Shkodër-Obot dhe Shkodër-Velipojë. 

Shkarkimet në të tre Hidrocentralet, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vijojnë edhe ditën e sotme. Sipas të dhënave raportohet se niveli i Fierzës, mëngjesin e sotëm është në kuotën 296.4 cm, duke shënuar një ulje prej rreth 15 cm, krahasuar me një ditë më parë.

Shkarkimet në Fierzë, aktualisht janë 400 m/kub për sekondë. Ndërkohë nga Hidrocentrali i Komanit, shkarkimet janë 1100 metër kub/sekondë, ndërsa nga Vau i Dejës, 1200 metër kub për sekondë. 

Ndërkaq dalja e liqenit ka përmbytur pedonalen në hyrje të qytetit të Shkodrës, si dhe ka bllokuar totalisht rrugën drejt Shirokës. Përgjatë këtyre ditëve, banorë të këtyre zonave, kanë ngritur shqetësimet, se organet përkatëse nuk po marrin në konsideratë situatën e krijuar nga përmbytjet. Ato kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës, pasi prej rreth 25 ditësh vijojnë të jenë të përmbytur.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›