E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon kerkimi per dy peshkataret e zhdukur

Roja Bregdetare, Guardia di Finanzia, policia kufitare dhe pjestarë të Forcave të Armatosura kanë shtuar përpjekjet në kërkim të dy të rinjve vlonjatë që dolën për peshkim në orët e para të ditës së premte.

Peshkatarët e zhdukur janë dy 25-vjeçarët Fatmir Ismailaj dhe Gëzim Bashkllari, që të dy banues në Vlorë. Ata kanë dalë me një mjet lundrues të vogël me motor, por për shkak të detit të trazuar ata janë rrëmbyer nga rryma.

Ende nuk ka asnjë gjurmë të dy të rinjeve, ndërkohë që kanë kaluar pak më shumë se 12 orë nga sinjalizimi i fundit i tyre. Ata kërkuan ndihmë rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm kur telefonuan familjarët e tyre.

Drejtori i kufirit dhe emigracionit në Vlorë, Selman Tema ka bërë me dije se në kërkim të mjetit kanë dalë policia kufitare me mjetet e saj, Guardia di Finanza si dhe Roja Bregdetare.

Flota Detare bëri me dije rreth orës 17:00 se është lokalizuar vendndodhja e telefonatës së fundit të kryer nga dy të rinjtë. Tashmë kërkimet janë përqendruar në trekëndëshin Port-Petrolifera dhe Plazhi Publik.

Vec angazhimit të Rojes Bregdetare dhe Guardia di Finanzia në operacion janë përfshirë edhe pjestarë të Forcave të Armatosura që njoftojnë se operacioni i kërkim-shpëtimit është shtrirë në të gjithë Gjirin e Vlorës.

Për momentin nuk ka asnjë gjurmë të dy peshkatarëve, ndërsa familjarët e tyre presin me ankth para godinës së Komisariatit të Vlorës për informacione rreth të rinjve. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›