E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon në ditën e 119-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Protesta qytetare kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 119-të radhazi.

Ashtu si edhe herët e tjera qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan me artikulimin e kërkesave të tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë e vjetër” politike.

Në sheshin përpara godinës së kryeministrisë aktivistë të shoqërisë civile përsëritën kundërshtimin ndaj investimi turistik në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave për zonat e mbrojtura dhe investimeve strategjike.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj foli gjatë protestës së 119-të, duke deklaruar se arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në shesh janë, sipas saj, të lidhura me skandalet dhe zhvillimet e fundit politike.

Vatnikaj tha se protestuesit vijojnë të mblidhen çdo ditë, ndërsa akuzoi qeverinë për lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo iu referua edhe arrestimeve dhe hetimeve ndaj zyrtarëve, duke pretenduar se këto zhvillime dëshmojnë, sipas saj, për një krizë të institucioneve.

Një e moshuar tha nga foltorja para Kryeministrisë se pensioni 12 mijë lekë nuk del për të mbyllur muajin.

“Këto janë në Amerikë, kam 120 mijë lekë të vjetra pension. Surrati atyre shkon shtrihen në hotele luksoze. Nuk duan të janë dinë për këtë popull. Por duhet të dini se ky popull nuk ndalon më”, tha ajo.

Protesta, e nisur në 31 maj si kundërshtim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar gjatë javëve në vijim edhe me kërkesa politike dhe institucionale.

Dita e 119-të e protestës; fotot: Andrin Hoxha 1 nga 7

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›