Vijon prej dy ditësh zjarri në Pilur, ndërhyrje nga toka dhe ajri. Vatër aktive edhe në Kukës

Dy vatra zjarri vijojnë të jenë ende aktive në vend, ndërsa 5 të tjera janë shuar. Prej dy ditësh, një zjarr masiv ka përfshirë zonën e Pilurit në Himarë, duke djegur sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe pyje. Flakët vijojnë të jenë aktive, ndërsa ndërhyrja për shuarjen e tyre po kryhet si nga toka, me zjarrfikës dhe efektivë të ushtrisë, ashtu edhe nga ajri, përmes helikopterit të Emergjencave Civile.
Për shkak të terrenit të thyer dhe pamundësisë vizuale, operacionet ajrore janë ndërprerë gjatë natës, por kanë rinisur herët në mëngjes. Sipas shërbimeve zjarrfikëse, aktualisht nuk ka rrezik për banesat apo objektet e banuara. Për përballimin e flakëve janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Himarë, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcave të Armatosura. Ndihmë në terren po japin edhe 30 forca të bashkisë Himarë, përfshirë Shërbimin Pyjor dhe ndërmarrjet publike të njësive administrative Himarë, Horë-Vranisht dhe Lukovë.
Ndërsa vatra tjetër aktive është në fshati Kolsh, bashkia Kukës. Vatra ndodhet në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane dhe situata paraqitet drejt përmirësimit, ndërsa forcat po vijojnë ndërhyrjen për shuarjen e plotë.
Gjithashtu janë izoluar dhe shuar plotësisht 5 vatra, konkretisht në:
Lagjen “Mulliri i Artë”, bashkia Delvinë
Fshatin Alarup, njësia administrative Çërravë, bashkia Pogradec
Rrugën e Elbasanit, njësia administrative Nr. 2, bashkia Tiranë
Fshatin Rilë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë
Fshatin Malaj, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë
Operacionet në terren do të vijojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.
/rtsh.al/