E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima e tërmetit: Berluskoni më prit në shtëpi

Antonio Bernardini, shtëpia e të cilit në qytetin malor të Aquilas u shkatërrua, i shkroi agjencisë italiane të Mbrojtjes Civile, ku shprehej se dëshironte të strehohej në vilën luksoze të Berluskonit buzë detit në Sardenjë ose në shtëpinë e tij në qendër të Romës "nëse ishte e mundur".  

"Ky nuk është një provokim, por një kërkesë legjitime e bazuar në deklaratat e kryeministrit", tha Bernardini.

Mijëra njerëz që mbetën pa shtëpi nga tërmeti i 6 prillit jetojnë ende nëpër hotele ose nëpër çadra.  

Bernardini tha se shumë prej tyre shfrytëzohen nga pronarët e paskrupullt të hoteleve dhe ndihen pothuajse si imigrantë ilegalë.

"E ndjejmë veten në kushte inferioriteti", tha Bernardini, nëna plakë e të cilit vdiq pikërisht një muaj pasi e kishin nxjerrë  nga rrënojat e shtëpisë së saj. "Unë jetoj një dhomë të vogël hoteli larg qytetit tim të lindjes".

"Na jep një shenjë konkrete. Nëse jo mua, atëherë merrni ndonjë viktimë tjetër", i kërkoi ai kryeministrit.

Gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit, Berluskoni u bëri thirrje italianëve të merrnin viktima të tërmetit në shtëpitë e tyre dhe tha : "Edhe unë do të bëj ç'të mundem  duke ofruar shtëpitë e mia". Ai premtoi se do ta rindërtonte Aquilan brenda 28 muajve dhe do t'u jepte viktimave shtëpi të reja.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›