E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimat e Kirgistanit, 10 herë më të shumta. Liderja e përkohshme: Mund të jenë 2 mijë

Kirgistan Mbi 300 mijë persona janë shpërngulur deri më tani nga zonat e konfliktit

Udhëheqësja e përkohshme e Kirgistanit, Roza Otunbayeva, ka deklaruar dje se gati dymijë vetë kanë humbur jetën në dhunën e javës së fundit në jug të vendit. Kjo shifër është 10 herë më e lartë se sa ishte vlerësuar më parë. Zonja Otunbayeva e vizitoi rajonin me qëllim që të zbusë tensionet e krijuara mes komuniteteve uzbeke dhe kirgize. Duke folur para banorëve të Oshit, të mbledhur në sheshin qendror, Presidentja e përkohshme premtoi të rivendosë rendin dhe të rindërtojë qytetin. Banorët e Oshit kanë shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si qeveria e përkohshme është marrë me krizën. Qyteti është ende i ndarë. Në njërën anë të barrikadave mes tyre janë banorët e etnisë uzbeke dhe në anën tjetër ata të etnisë kirgize. Më shumë se 190 vetë janë vrarë dhe qindra janë plagosur si pasojë e dhunës më të rëndë etnike në Azinë Qendrore që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Ndërkaq, sipas UNHCR-së, dhuna në jug të Kirgistanit ka detyruar largimin me forcë të rreth 300 mijë vetëve, ndërsa 100 mijë të tjerë po kërkojnë strehim në Uzbekistanin fqinj. Presidenti rus, Dimitry Medvedev, ka paralajmëruar se paqëndrueshmëria në Kirgistan mund të çojë në marrjen e kontrollit nga ana e islamistëve. Një zyrtar i lartë amerikan për Azinë Qendrore, Robert Blake, i cili vizitoi një kamp refugjatësh në anën uzbeke të kufirit, e përshkroi situatën si një krizë humanitare. Ai bëri thirrje për një hetim të pavarur lidhur me trazirat.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›