Milo: Europa do ta drejtojë gishtin te mazhoranca

Dilema e negociatave të pasuksesshme, por ende jo plotësisht të mbyllura, ka si kundërpërgjigje të mundshme, rinisjen e protestave dhe refuzimin e bashkëpunimit parlamentar. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, aleat i PS-së, paralajmëron rritje të presionit ndërkombëtar, por edhe përshkallëzim të lëvizjeve opozitare në vjeshtën e këtij viti.
Pas deklaratës së fundit të PE-së, mendoni se ka ende hapësira për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale?
Nga sa jam i informuar, nuk kam arsye të jem optimist, sepse siç edhe u deklarua dje nga salla e Parlamentit apo edhe nga çka kumtoi z. Rama në konferencën e tij të shtypit, bisedimet qoftë edhe me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian kanë dështuar. është një lajm i keq për shqiptarët dhe jo vetëm për ta. Këmbëngulja e z. Berisha për të qëndruar në fortifikatën e tij të ngritur prej një viti, është pengesa kryesore dhe me sa duket Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimeve politike, e cila do të shpalosë tiparet e saj pas muajit shtator.
Ku konsistojnë këto zhvillime të reja që ju paralajmëroni për vjeshtën e ardhshme? çfarë do të bëjë opozita?
Nuk besoj se opozita do të heshtë apo do të tërhiqet para një beteje që vazhdon të jetë e hapur për votën e lirë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Nëse nuk ka progres ajo që do të penalizohet është Shqipëria dhe ata që do të privohen janë shqiptarët; mesazhi është dhënë shumë i qartë dje, pavarësisht se nuk flitet hapur. Europa-Brukseli nuk duan të marrin një pozicion të hapur dhe përfundimisht të qartë në lidhje me përgjegjësinë e politikës shqiptare. Ata do të vazhdojnë ndoshta edhe për disa ditë që të japin mesazhe të rrumbullakosura, ku përgjegjësinë e adresojnë te dy faktorët kryesorë politikë shqiptarë, por do të vijë momenti që ata do ta drejtojnë, ndoshta me vonesë, gishtin te shumica shqiptare. Sepse opozita ka bërë të gjitha lëshimet në një kohë që nga z. Berisha nuk vihet re që të ketë lëvizur nga pozicionet e tij të vjetra.
Vijimi i kësaj klime, mendoni se vë në diskutim edhe normalitetin e zgjedhjeve lokale?
Pa një zgjidhje të krizës politike, e cila do të garantonte zgjedhje realisht të ndershme në momentin që ato do të vinin, qofshin lokale apo parlamentare - nuk mund të pretendohet që do të ketë në Shqipëri një klimë bashkëpunimi për të bërë reformat e nevojshme për Kodin Zgjedhor, për sistemin dhe gjithçka tjetër që do t’i garantonte Shqipërisë zgjedhje të mira. është ende shpejt se çfarë do të bëjë opozita në vjeshtë, sepse ajo ka ende shpresë se Brukseli dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë, si SHBA, nuk do ta braktisin kauzën e votës së lirë në Shqipëri, meqë ka një forcë politike dhe një lider politik, që gjithnjë ka ecur kundër rrymës kur ka qenë fjala për votën e lirë dhe të ndershme.
Diçka për ndërhyrjen e SHBA - z. Withers ka qenë i hapur në deklarimet e tij, por sërish zgjidhja nuk duket të jetë bërë realitet?
SHBA-të patjetër që i ndjekin me vëmendje situatat politike në Shqipëri dhe ambasadori amerikan Withers nuk ka folur asnjëherë me kokën e vet. Kjo është alfa e diplomacisë ndërkombëtare. Ndoshta z. Berisha është inkurajuar nga fakti se z. Withers është në fundin e mandatit të tij dhe pret që së bashku me fundin e gushtit të vijë dhe ambasadori i ri amerikan.
Do të kushtëzoni bashkëpunimin tuaj me PS, me mendime të caktuara në Kodin Zgjedhor?
Ne jemi shprehur për domosdoshmërinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Besojmë se PS-ja ka mbajtur shënim për këto qëndrime, që nuk kanë të bëjnë me pozicione thjesht sektare të partive tona, por kanë të bëjnë me të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri dhe padyshim me një mirëkuptim më të madh si një bazë për suksesin e ardhshëm të opozitës në zgjedhje. Zgjedhjet e kaluara u kaluan negativisht ndër të tjera, edhe nga një sistem eksperimental zgjedhor dhe nga një kod i ngritur me frymë përjashtuese. Nëse do të vazhdohet me të njëjtat rregulla loje, rrezikohet që opozita të dështojë sërish dhe unë mendoj se kambanat e alarmit do të jenë dëgjuar mirë. Nuk besoj se në PS do të ketë ende njerëz që mendojnë se partitë e vogla janë të panevojshme apo identifikohen vetëm me kryetarët e tyre që kanë ndonjë oreks për t’u zënë vendin në partitë respektive. Dua t’i siguroj se na mjaftojnë karrierat politike që kemi arritur me mundin tonë dhe nuk i lakmojmë pozicionet e të tjerëve, thjesht duam të jemi kontribuues pozitivë të politikës shqiptare, në mënyrë që të mos vuajë më Shqipëria nga lojërat që janë mësuar të bëjnë dy partitë e mëdha.
#