Viktor Gjoka dhe skandali i dashurisë

Shënime nga udhëtimet në memorie IX.
Kishte qenë vërtet aktor i preferuar, Viktor Gjoka i Teatrit Popullor. I kishte bërë për vete njerëzit me tri role, që s'arrihen sot, ose kështu pandehim nga nostalgjia.
Fati i artistit që u bë i njohur me "Karnavalet e Korçës", "Revizori", "Fytyra e dytë", u rrokullis pasi dashuria e tij shkonte kundër moralit të kohës
Sa fjalë të bukura shqiptohen në kishë. Dhe kori këndon, kori i grave të shëndosha
(këngëtaret e operave më janë dukur gjithmonë të shëndosha dhe me buzë në gaz mendoja se si një tajë, apo një furrxheshë, me faqe të dhjamosura dhe me bark të shtrënguar me rripa për shkak të dhjamrave, të luaje Miminë apo Manon Leskonë!).
Ato, gratë e korit, një pjesë këndonin në Opera, shtrëngonin nga një shami në duart topolake dhe luftonin pa pushim me djersët që ju kullonin si ujë.
Korbi ky, thotë një plakë, vjen në qishën e zotit me dashnoren, pa pyetur për gruan dhe çupkat që ka këtu, si s'ka turp, zorzopi, oj, u prish kjo jallane botëz e kokolepsur prej zuzarëve.. E solli kokën, i pacipi, pëshpëriti një tjetër, mbahet më të madh, pale, sikur t'ia dimë vlerën dhe ta durojmë, ka bërë ca role në teatër dhe i është mbushur qypka se ai është e s'ka tjetër...
E tërhoqa gjyshen për mënge dhe e pyeta me zë të ulët: Për kë flasin, gjyshe! Ja, për atë leshkon atje, që na është martuar me shoqen e së bijës, që pika i rëntë mu në lule të ballit, e marrtë oshas dhe e lëntë pa sy e pa veshë!
Mesha vazhdonte me bujë të madhe dhe kori këndonte i mbytur në djersë, dhjakojtë bënin ecejake korridorit, prifti i bukur si artist kinemaje, atë Kanxheri, me atë nënqeshjen e hijshme, ulte kokën që të mos ndeshte sytë shkrepëtitës të grave.
Po ç'ka bërë, moj gjyshe?
Më ler të dëgjojë meshën, bir, ja, zoti Krisht mbërriti në Galile.
Unë dua të di, i thashë.
Janë turpe, të mos e bësh ti, se t'i këpus që tani dhe ja u hedh maceve t'i hanë.
Ç'të këpusësh?
Bibilushkën, se ajo e mori më qafë aktorin.
Pastaj, kur gruaja e re që rrinte në krah të aktorit, një burreci karagjoz që të bënte për të qeshur, kthente kokën dhe shikonte ç'bëhej në kishën e madhe përplot qirinj që digjeshin me madhështi dhe kora të lyrshme dhe afreske të frikshme nëpër mure, shpërthente gjindja si një anije prej dhoge të krisur që shkon tutje-tëhu nëpër një det në shtrëngatë, ajo hem e nomatiste me një vrer të verbër, hem mahnitej prej bukurisë e freskisë së dëlirë të saj që të kujtonte atë kopshtin që ka çelur i tëri brenda një natë dhe ti magjepsesh në mëngjes kur e shikon për herë të parë duke lëshuar një ah, përplot çudi e galdim.
Ata nuk shkonin të dy ashtu ngjitur se dukeshin si një gjysh gjytyrym me një mbeskë si yll e dritë.
Kaq mbaja mend nga ajo kishë atë mëngjes dhe s'më dilte nga mendja ajo ngjarje skandaloze që bëri aq shumë përshtypje të rëndë atë kohë; aktori i shquar i teatrit popullor Viktor Gjoka na kish lënë shtëpinë, gruan dhe fëmijët dhe kish vënë kurorë me një vajzë gjimnaziste, shoqen e vajzës së tij. Si kishte ngjarë kjo?
S'dija më tepër.
Do kalonte kohë të merrja vesh ca më shumë për këtë lidhje intime aq ngashënjyese që kishte tronditur aq fort Tiranën, në kohën kur po bëhej i famshëm grupi muzikor anglez "Bidëlls".
Viktorin e kishin sikterisur në prodhim dhe ia kishin hequr të drejtën për të luajtur në teatër. Ai tashmë ishte një teneqexhi, siç thonin, ose një varrmihës, siç shpifnin. Po atë nuk e la, atë vajzukën që i ishte ngjitur dhe ajo si rrodhe. Ç'bën pasioni i marrë, ajo ndjenjë e pakuptueshme e dashurisë, që të duket si e huaj, ajo molisje e mishit që mbetet i uritur.
Kish qenë vërtet aktor tejet i preferuar, i kishte bërë për vete njerëzit me tri role, që s'arrihen sot, ose kështu pandehim nga nostalgjia, por veç një gjë është e vërtetë, se "Karnavalet e Korçës", "Revizori", "Fytyra e dytë", s'luhen më për shkak të aktorëve të mëdhenj që mungojnë. Mos e teproj?
Ndoshta jo, se s'kish si shpjegohej ndryshe dalldia e një vajze të re 17-vjeçare, marrosja e saj verbane me një Hljestakov të hatashëm, me një Xha Halil të papërsëritshëm, me një Mihallaq pa të dytë, të adhuronte pa cak e pa turp, shpërfillëse e një opinioni shkatërrues, mohuese kategorike e familjes së saj, e shoqërisë, e vashërisë lozonjare, për një aktor të madh, padyshim, po dhe për një burrec gati te të pesëdhjetat, që s'ishte aspak i bukur.
Ajo vajzë e rrallë i dashuroi të dy, Apollonin bashkë me Muzat vezullimtare dhe Gorgonën e shëmtuar pa bërë dallim, me një frymëzim të furishëm prej poeti romantik, me një vullnet prej Balzaku me fustan, me një logjikë të papajtueshme me të gjitha sfidat që iu përplasën si një uragan tamam si një Robespier i panënshtrueshëm e dogmatik.
O zot, kush ishte kjo grua e vogël që e harruam dhe më fort u morëm me njeriun e famshëm? Ç'u bë me të? Fati do të më ndihte në këtë zbulim pa qëllim të jetës së këtij çifti të sfilitur nga ligji satanik i shtetit dhe turpi i shoqërisë.
Thonë se kur binte shi dhe bënte mjegull, e njerëzia mbyllej, prej një bimse të një pallati në Tiranë të Re ku banoja unë, dilte nga nëntoka kapur për dore një çift hijesh prej nate dhe bridhnin rrugëve me një çadër të madhe që i mbulonte krejt dhe i mbanin këmbët nga Teatri Popullor nën pishat që vizhgëllinin në errësirë me një kumb të trishtë, mbanin vesh, njëri shkëputej, tjetri rrinte në këmbë dhe ai që ish shkëputur puthte dyert dhe muret e teatrit, pastaj binte në gjunjë, pëshpëriste dhe bënte kryq.
Ishte Viktor Gjoka që i lutej Zotit t'ia hapte derën dhe njëherë, që të vishte rrobat e personazheve fort të dashur që i qanin natë e ditë dhe ia kishin bërë zemrën qullë.
Askurrë s'do të hapej ajo portë e madhe, askurrë, veç atëherë kur ai kish mbaruar me të gjitha dhe rronte vetëm me iluzione.
Dy janë rastet qe dua të tregoj, tejet prekëse, që s'i harroj, po që më tronditin dhe mua kur i kujtoj.
Ata, burrë e grua, rronin si mos më keq në bimsë, në gjiriz, siç talleshin dendur shpifarakët, ata që s'shkojnë kurrë në teatër, dhe që për fat të keq janë shumë më të shumtë se ata që shkojnë, të cilët mendohen e vuajnë pakëz para se ta nxjerrin atë të shkretë fjalë që mund të lëndojë një zemër të pafajshme.
Natën, aty nga ora dhjetë, disa të dehur përkuleshin te dritarja e tyre që dilte në rrugë dhe ia nisnin argos së tyre të llahtarshme me zë të lartë që ta dëgjonte dhe pallati;
Viktor Gjoka, ho, mo, a të puno vegla? A ja ke gjetë, apo s't' puno, haj, burrë se ta shkepim ne... Haj, haj, çele derën o shkërdhatë, ene ti kurvë, keni për ta pa ç'kena për t'ju bo...
Kështu vazhdonte një orë. Poshtë drita shuhej. Asnjë pipëtimë. Pastaj dëgjohej si i binin me grushte dhe shkelma derës, si s'pushonin nga gojëndyrja, po ata poshtë vazhdonin të heshtnin, të mos ju kthenin përgjigje, mbledhur te njëri-tjetri në shtratin që ishte poshtë dritares.
Dhe kjo ndodhte pothuaj çdo natë, në të njëjtën orë dhe këtë e bënin njerëz të policisë, ata lapangjozët e lokaleve që në atë kohë u thoshin Hafije ose Kallëzues. Pijet i kishin falas, në bordero tërhiqnin 80 lekë në muaj, veç punës që bënin në shtet.
Gruaja e Viktorit ishte një bukuroshkë brune, e qeshur, me gjeste fine. Ajo nuk dilte nga shtëpia, veçse në orë të caktuara bashkë me Viktorin.
E pashë për herë të parë kur lagjja i dha punë si shitëse buke. E hajthme, e rregullt, e pastër, pa fjalë, tejet ndjellëse, me tipare që të mbetnin në mend për një kohë, sy ulur, me një thikë të madhe që dukej si diçka e huaj në dorën e saj delikate, pa unazë, pa byzylykë.
Ky ishte njëfarë rehabilitimi. Ajo lindi. Fëmijët iu rritën në bimsë. Nuk i shikonim. Një familje e errësirës. Aq shumë nuk binin në sy, sa pothuaj ishin të harruar.
Viktori fillojë të luajë ndonjë rol të vogël në kinematografi, gjithmonë rol negativ që të mbahej mend për keq.
Ndërsa e shoqja, një grua e bukur, që mundohej ta fshihte me njëmijë mënyra bukurinë, kur të jepte bukën, ashtu si rastësisht, tradhtisht, pa e kuptuar as ajo vetë, të ofronte dhe një buzëqeshje të mirëz, që të zgjonte keqardhje dhe të këpuste shpirtin. Edhe atje nuk pushuan provokimet, fyerjet poshtëruese. Për dreq ai furrë buke ishte afër Bllokut.
Ju jeni gruaja e Viktor Gjokës?
Po, belbëzonte ajo me frikë dhe bëhej gati për më të keqen.
E di partia këtë?
Ajo nuk përgjigjej, ulte kokën, mblidhte supet delikate poshtë përparëses së bardhë që e mbante akull të bardhë.
Ai zotëria me kostum dhe republikë, veteran, me gazetë në dorë, i kthente bukën në mes të njerëzisë që kishte shtangur dhe ngrinte zërin:
Kurrë nuk do të vij të marr bukë në dyqanin ku shitëse na qenka një lavire!
Ai kthehej me zemërim dhe neveri dhe nxitonte të ikte sikur t'i largohej gërbules.
Mendoni ç'ndodhte, një pjesë shpërndaheshin kuturueshëm, që të mos dukeshin se s'ishin me partinë, ndërsa ata që mbeteshin shikonin lotët e saj që shkisnin faqeve në heshtje dhe filkthin që i lëvizte me ankth dhe ju vinte keq, madje dikush guxonte të pëshpëriste:
Ne ju duam, mos qani!
Kur u hapën ambasadat, ata ishin nga të parët që emigruan. Viktor Gjokës i kishte ecur në fillim. Vila e parë në atë rrethinë luksi të Romës, një plakë në ballkon që po lexonte një libër.
Ai hap derën dhe hyn brenda. Luan Falstafin, pastaj Sanço Pançën. Plaka e lë librin dhe ngrihet në këmbë. Ai, gjithë duke e bërë për të qeshur arrin poshtë ballkonit të saj. Ajo e pyet duke fshirë sytë:
Kush jeni ju, zotëri?
Rivali i Vitorio Gazmanit. Ai, zonjë e nderuar, më mban më të madh se veten.
Mjaft, e kuptova, sa vjeç më jep ti mua?
Jo më shumë se 38.
Këtë ma ka thënë dhe Sofia Loren. Madje ajo arrin gjer aty sa të thotë se jam më e bukur se ajo.
Hunda, zonjë.
Çfarë, zotëri?
Atë e shëmton pak hunda.
Ku e ditkeni që edhe unë kam këtë mendim? Ç'jeni ju, ma thoni.
Gastor. Thjesht bëj për të qeshur. Di të largoj mërzitjen.
Kam nevojë për ju. Vetëm jeni?
Jo. Kam gruan, fëmijët...
Aq më mirë. Bimsat i keni ju. Fjetje, ushqim falas dhe sipas punës shpërblimi. Ti do të më bësh për të qeshur, do të më mbash me muhabet, ndërsa gruaja juaj do të lajë e do të gatuajë.
Ajo plakë ishte një konteshë e kamur që jetonte vetëm, se djemtë e kishin braktisur prej kohësh.
Prapë në bimsa Viktori, po, ama, në parajsë.
Atëherë ishte 70 vjeç, erdhi me gruan në Tiranë, luajti Hljestakovin, po pa sukses. I mora një intervistë.
Po ai qyfyrxhi, shulak pa moshë, nxirrte nga goja barcoleta dhe ndoshta na gënjeu kur tha se ishte kryetari i shoqatës së aktorëve pensionistë italianë dhe nënkryetar kishte Vitorio Gazmanin.
E shoqja ishte tejet e bukur, me shumë hir ndjellës e që të turbullonte ashtu fshehtas. E urdhëronte. Ajo dukej si një Nikolë Kidman, ndërsa ai si i Trashi. Ajo rrinte në vendin e parë në makinë, autoritare, fodulle, shpërfillëse gjer në ankth.
Ai ishte një gjysh që s'i mbyllej goja, një llafazan i lezetshëm, ndërsa ajo një bukuroshkë e re që, çuditërisht, edhe pas atyre dallgëve të cunamit socialist, kishte mbetur një kryevepërz e Rafaelit, një Madonë e dëlirë e Pesëqindës.
Po ai, edhe kur ajo e tepronte, nuk e prishte terezinë, si duket ishte mësuar me gjendjen kur iluzionet e kahershme bien gjëmshëm dhe realitetet e reja gjithmonë shfaqen brutale e të vrazhda.
Ata, edhe më tepër tani, kishin punë me ndryshimin e madh të moshës dhe fatkeqësisht me shuarjen e një ylli që huante dritë veç nga kujtimet. Megjithatë ajo ishte një heroinë e kohës sime.
Dhe përderisa ata ishin bashkë, sido që të paraqitej kjo rrethanë e re, ajo sërish mbetej për mua një libër i pashkruar. Erdhi dhe shkoi në një zhurmë të madhe gjithashtu dhe në një harresë të madhe.
Po gra të tilla janë krejt të rralla. Unë sa e preka, jam te faqja e parë, sapo mbarova librin e burrit të saj të famshëm, që e njohim të gjithë, ndoshta një ditë dhe për atë grua do të shkruhet një roman, padyshim bestseller. Si e kishte emrin? Ja, që s'e mbaj mend.
Nju Jork 2010