E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, nis festivali "Aulona International Folk Festival"

Në mjediset përpara stadiumit “Flamurtari”, ku është ngritur edhe skena e zhvillimit të këtij aktiviteti, ishin të pranishëm qindra qytetarë vlonjatë. Akademiku Vaso Tole, drejtor artistik i festivalit, theksoi se shndërrimi i Vlorës në një destinacion të rëndësishëm turistik ndërthuret edhe me vlerat e kulturës popullore dhe të folklorit, që vjen në këtë rast nga vende të ndryshme të Evropës.

Natën e parë të Festivalit e çeli grupi folklorik “Emin Duraku” i Kosovës, i cili u pasua nga Ansambli “çamëria”, grupi “Bilbili” etj. Në Edicionin e Dytë të Festivalit Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, përfaqësohen tetë grupe folklorike. Ky aktivitet, që organizohet nga Qendra Kulturore “Bilbilat e Jugut”, konsiderohet jo vetëm një manifestim i vlerave të folklorit dhe pasurisë shpirtërore të vendeve pjesëmarrëse, por edhe një mundësi për promovimin e resurseve turistike të qytetit të Vlorës.

Aktiviteti që do të zhvillohet gjatë katër ditëve, organizohet në marrëdhënie partneriteti me bashkinë e qytetit të Vlorës, atë të Orikumit dhe komunën e Novoselës, që janë tre njësi vendore që shtrihen përgjatë bregdetit, si dhe me operatorë të ndryshëm turistikë. Sipas drejtorit të përgjithhëm të festivalit, Sejmen Gjokoli, ky festival folklorik ndërkombëtar, që organizohet për të dytën herë në qytetin e Vlorës, është i veçantë edhe për faktin se ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin e resurseve turistike të bregdetit të Vlorës, ku përfshihet edhe zona që administrohet nga bashkia e Orikumit dhe komuna e Novoselës.

Festivali është pjesë e aktiviteteve të vitit 2010, i cilësuar nga UNESCO, si viti ndërkombëtar i komunikimit përmes veprimtarive të kulturës. Organizatorët synojnë ta shndërrojnë atë në një traditë, si një aktivitet me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional, duke u udhëhequr nga parimet e CIOFF-it (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike. Në të do të jenë të pranishëm grupe folklorike nga tetë vende të ndryshme të Evropës: Polonia, Sllovakia, Kroacia, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. President nderi i festivalit është poeti Xhevahir Spahiu.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›