Klasa e 9, sot provimi i parë
Provimet e lirimit, mijëra nxënës testohen sot për njohuritë e marra në lëndën e gjuhës shqipe dhe leximit
Mijëra nxënës në gjithë Shqipërinë ulen sot në banka për të dhënë provimin e parë të Provimeve të Lirimit, atë të gjuhës shqipe dhe leximit. Testi i provimit përmban 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative kurse 12 kërkesa janë me zhvillim. Provimi nis në orën 10:00 dhe nxënësit kanë në dispozicion të plotë 2 orë e 30 minuta për t'iu përgjigjur kërkesave të testit.
Mënyra e përgatitjes, përzgjedhjes dhe zhvillimit të provimeve të Lirimit zhvillohet sipas të njëjtës formulë të Maturës Shtetërore. Procesi i sekretimit të provimeve të lirimit është më pak i ndërlikuar se sa në Maturën Shtetërore.
Edhe procesi i vlerësimit është i njëjtë me provimet maturës. Specialistët e AVA-s krahas tezës së provimeve kanë hartuar edhe një skemën e vlerësimit e cila do të përdoret për të vlerësuar provimet e të gjithë nxënësve. Sipas udhëzimit të MASH vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës.
Testet nuk vlerësohen më nga mësuesit e shkollës, por nga mësues të jashtëm të cilët mblidhen nëpër drejtoritë arsimore, dhe emërohen Qendra e Vlerësimit të Testeve (QVT) e DAR/ZA, sipas skemave të vlerësimit të dërguara nga AVA.
Provimet e Lirimit jepen vetëm me shkrim dhe në një ditë të caktuar për të gjithë shkollat e vendit. Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues, ku secili prej tyre firmos në çdo test që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.