E Diel, 1 Nëntor 2026

Vila: Pozitiv qëndrimi në kombëtare

Tashmë Emiliano Vila shihet si një alternativë e mundshme për t’u aktivizuar në krahun e majtë të mesfushës. Trajneri kroat i kombëtare shqiptare, Josip Kuzhe vendosi ta mbajë në skuadër 21-vjeçarin për ndeshjen ndaj Danimarkës dhe Vila do të jetë në balotazh me Likën dhe Hykën për një vend në formacion.

“Mendoj se është shumë pozitive të jem pjesë e Kombëtares A, pasi dihet se në përbërje të ekipit të parë ka lojtarë cilësorë, që luajnë në kampionatet më të forta. Është një përvojë e mirë për mua të jem pranë këtyre futbollistëve,”- u shpreh ish-mesfushori i Teutës në konferencën e sotme për shtyp.

Vila shtoi se për aq minuta sa është aktivizuar, e ka justifikuar praninë e tij në skuadrën kombëtare. “Kam dhënë më të mirën në ndeshjet e mëparshme dhe premtoj ta bëj këtë edhe në takimet e tjera. Shpresoj të bëj më të mirën edhe në ndeshjen e nesërme, në qoftë se luaj.”

Në vijim të konferencës, Emiliano Vila zbuloi edhe planet e tij pë të ardhmen: “Që kur luaja me Teutën, kisha synim të arrija ekipin kombëtar. E arrita këtë dhe shpresoj që besimi që trajneri më ka dhënë deri tani, të vazhdojë të rritet. Përderisa jam këtu, jam gati për të luajtur dhe shpresoj të vazhdoj të jem pjesë e më të mirëve. Një ndihmë të madhe më kënë dhënë djemtë e tjerë të skuadrës, me këshillat e tyre. Nuk e prisja që të më mbanin kaq afër.”

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›