E Shtunë, 31 Tetor 2026

Villas Boas beson në kualifikim

Trajneri i Chelseas, Andre Villas Boas shpreson ende në kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, përkundër humbjes me rezultat 3:1 nga Napoli, në ndeshjen e parë të së tetës së finales, të martën mbrëma.

Trajneri portugez mendon se në lojën e kthimit mund të ndodh gjithçka. Me një fitore 2:0, ‘Blues’ do të ecnin tutje. “Kishim të njëjtat raste me Napolin, por ky ekip shënonte, ndërsa ne jo. Kjo e vendosi lojën. Mirëpo, pikërisht për këtë arsye jam optimist për ndeshjen e kthimit. Në Stamford Bridge mund ta rikthejmë rezultatin”, deklaroi ish trajneri i Portos.

Në anën tjetër, trajneri i Napolit, Walter Mazzarri duket se nuk është ngopur me fitoren e arritur. Ai e qan rastin e humbur nga mbrojtësi i djathtë, Christian Maggio, të cilin e shpëtoi nga vija e portës Ashley Cole.

“Mëkat që nuk e shënuam atë gol, do të ishte një avantazh i merituar, të cilin do ta meritonim. Skuadra më pëlqeu në të gjitha aspektet. E kishim një çerek orë të vështirë, deri tek goli i pësuar, ndërsa më pas djelmoshat luajtën mirë, duke reaguar në mënyrë të jashtëzakonshme. Tash do të kërkojmë kualifikimin në një ndeshje mjaft të vështirë. Në Londër duhet të mundohemi të shënojmë gol”, tha trajneri italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›