E Diel, 1 Nëntor 2026

Pendohet Tevez

Më në fund, Carlos Tevez ka kërkuar falje për veprimet e pamatura të muajve të fundit. Sulmuesi argjentinas ka shprehur keqardhje ndaj të gjithë atyre që i ka bërë të ndihen të ofenduar në pesë muajt e fundit. Ai shpreson që t’i kthehet fushës së blertë sa më shpejt, për ta ndihmuar ekipin anglez drejt arritjes së objektivave.

Carlos Tevez më në fund e ka zbutur karakterin e tij, duke i kërkuar falje Manchester Cityt. Sulmuesi argjentinas u pendua të martën mbrëma, gati pesë muaj pasi ishte lënë jashtë ekipit, gjë e cila i kushtoi me humbje prej më shumë se 10 milionë eurosh.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi anglez përmes uebfaqes së vetë zyrtare. “Sot, Carlos Tevez ka kërkuar falje për të gjitha veprimet që i ka bërë kohëve të fundit. Carlos është rikthyer në klub të martën, pas tre muajsh mungese, pa leje të klubit”, njoftojnë ‘Citizens’.

Në anën tjetër, ish futbollisti i Corinthiansit, West Ham dhe Manchester Unitedit, është i bindur se mund ta japë kontributin e tij tek ekipi i Roberto Mancinit, pasi e shprehu keqardhjen për veprimet që kishte bërë.

“Kërkoj falje të sinqerta dhe të pa rezerva ndaj çdo njeriu të përfshirë në klub, që është ndier i ofenduar nga veprimet e mia të kohëve të fundit. Unë dua që tash që koncentrohem për të luajtur futboll me Manchester Cityn”, është shprehur përfaqësuesi argjentinas.

City njofton po ashtu se Tevez e ka tërhequr ankesën kundër klubit, të cilën e kishte bërë në Premierligë, pas dënimeve të vazhdueshme që kishte marrë nga klubi në pronësi të arabëve. “Ai po ashtu e ka nisur programin e trajnimeve, me dëshirën që të rikthehet sa më shpejt në formën optimale”, shkruan në uebfaqen zyrtare të klubit.

Tevez dhe përfaqësuesit e tij kanë kërkuar falje pas takimit me zyrtarin e Cityt, Brian Marwood, gjatë stërvitjeve të zhvilluara të martën. Menaxheri Roberto Mancini nuk ka ndërhyrë në këtë çështje, pasi që ishte duke e përgatitur ekipin për ndeshjen e mbrëmshme të Europa League ndaj Portos.

Mirëpo, trajneri italian s’ka se si të mos jetë i lumtur që do ta ketë sërish në dispozicion Tevezin, nga i cili kërkonte që të pendohet, nëse dëshiron ta vesh sërish fanellën e kaltër. Gjithçka nga kjo histori kishte nisur në muajin shtator të vitit të kaluar, kur Tevez kishte refuzuar të futej në lojë në ndaj Bayern Munichut, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Ai nuk ishte penduar dhe ishte lënë në ekipin e rezervistëve, para se ta linte Manchesterin, për të shkuar në Argjentinë, më 7 nëntor. Ai më në fund u kthye javën e kaluar, me një intervistë bombastike, ku e kritikonte trajnerin Mancini, për të cilin thoshte se e kishte trajtuar si qen.

Por, pasi dështoi transferimi i tij në Milan, Inter e Paris Saint Germain, Tevez vendosi të rikthehej tek City, me shpresën se shikuesit do ta falin për gjestet që bëri dhe me synimin që ta ndihmojë këtë ekip drejt arritjes së objektivave që ka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›