E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violinistja Ina Kosturi dhe pianistja Rudina Ciko në një recital

Maratona e muzikës violinistike vjen në edicionin e katërt
Tinguj e muzikës së vjetër shqiptare erdhën për publikun nga dy emra të talentuar të muzikës. Aktiviteti Maratona e muzikës violinistike, në kuadër të edicionit  të katërt solli koncertin e radhës. Një duo e përbërë nga violinistja Ina Kosturi dhe pianistja Rudina Ciko, interpretoi muzikë violinistike shqiptare dhe të huaj, duke përcjellë emocion tek publiku. Duke filluar nga autorë si Papajorgji, Noli e deri tek norvegjezi Svedson dhe amerikani Gershwin, këto tinguj sollën një mbrëmje koncertore të veçantë për publikun artdashës. Muzika e vjetër shqiptare u prezantua në këtë koncert me tingujt e nokturnit për violinë të kompozitorit korçar Kostandin Papajorgji, që interpretohet për herë të parë. Ky koncert, i cili u zhvillua mbrëmë në sallën Tefta Tashko në Ministrinë e Kulturës, vjen pas recitaleve të 2006-ës, 2007-ës dhe 2008- ës interpretuar nga dyshja Ina Kosturi (violinë) dhe Rudina Ciko (piano), me vepra të disa kompozitorëve shqiptarë e të huaj, kryesisht krijime të realizuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Thoma Nasi (1930), Fan Noli (1937), e deri te kompozitori shumë i njohur amerikan, me origjinë hebreje, Aaron Copland apo Kreisler, Brahms, Reger etj. Maratona e muzikës vilolinistike është themeluar nga violinistja Ina Kosturi katër vjet më parë. Ndërkohë që një vit më parë tingujt e pjesëve të vjetra shqiptare, një koleksion pjesësh për violinë e piano, të frymëzuara nga vallet e këngët popullore shqiptare, të mbledhura gjatë qëndrimit të autorit Thoma Nasi në Shqipëri në vitet 1930, me thënien Përkrahni muzikën e thjeshtë kombëtare, hapën edicionin e tretë të aktivitetit Maratona e muzikës violinistike. Fyelli i Bariut, Bilbili, E qarë, dhe Katër valle përbëjnë këtë cikël pjesësh, ku muzika shqiptare e krahinave të ndryshme gërshetohet me profesionalizëm e finesë, nga mjeshtri Thoma Nasi, krijimtaria e të cilit lidhet me bandat frymore e kryesisht atë Vatra. Ky koncert në edicionin e tretë erdhi pas recitaleve të viteve 2006, 2007, interpretuar nga duo Ina Kosturi (violinë) e Rudina Ciko (piano). Ndërkohë që Coplandi, pjesë të të cilit u interpretuan në këtë edicion njihet si një ndër kompozitorët e mëdhenj amerikanë, që gjeti rrugën unike dhe balancën midis modernes dhe shpirtit amerikan, duke u bërë pasqyrë e jetës politike, shoqërore amerikane, me krijimtarinë e tij të gjerë si kompozitor, pianist, dirigjent, pedagog e shkrimtar i disa artikujve e librave, duke krijuar muzikë për piano balete, simfoni e kuartete, duke u marrë me muzikën xhaz e kompozuar muzikë filmi në Hollywood. Kjo sonatë për violinë e piano që zë vend në krijimtarinë e aktivitetin e tij të gjerë si kompozitor, pianist e dirigjent, krahas muzikës së filmave, baleteve dhe të tjera veprave për violinë, u shkrua në vitin 1943. Në këtë recital maratonë i cili i përkiste edicionit të tretë u interpretua dhe një pjesë gati e panjohur e kompozitorit Çesk Zadeja, si dhe sonata opus 45 për violinë e piano e kompozitorit Edvard Grieg. Dy edicionet e mëparshme të Maratonës së muzikës violinistike sollën përtej traditës shqiptare të interpretimit të një recitali të vetëm, realizimin e tre recitaleve në një periudhë dy javore, si dhe interpretimin e disa veprave premierë dhe repertorit bazë violinistik. Ndërkohë që violinistja Ina Kosturi, e cila ka themeluar dhe Maratonën violinistike është diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë dhe Konservatorin "Il Giordano" të Foggias, Itali. Fituese e çmimit të tretë të konkursit "Citta di Monopoli", bashkëpunon në skenën italiane me pianisten Fratta, me një sërë recitalesh, si dhe në hapjen e sezonit të 17-të koncertor në Lucera. Violinistja Kosturi është aktualisht pedagoge e jashtme violine pranë Akademisë së Arteve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›