E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Boshti i Jugut është një projekt i madh kombëtar

Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Genc Pollo në një takim me mbështetës prezantoi projektin për ndërtimin e Boshtit të Jugut. Zv/kryeministri e konsideroi këtë projekt si ndër më të mëdhenjtë në infrastrukturë, ku premtoi finalizimin në mandatin e dytë të Partisë Demokratike. Kandidati i PD-së që kryeson dhe listën e Partisë Demokratike në Berat, u ndal në rëndësinë që ka Boshti i Jugut në zhvillimin e  Beratit dhe zonave që e rrethojnë atë. Ideja për ta paraqitur është pjesë e detyrimit tonë që të shpjegojmë se për çfarë angazhohemi. Boshti i Jugut nuk është projekt thjesht i një qyteti, apo i një rrethi, por ky është një projekt i madh kombëtar, nënvizoi ai duke shtuar se ky bosht do të jetë një urë lidhëse që do të bashkojë Beratin me Tiranën. Sipas tij, Boshti i Jugut është një rrugë që ndryshon historinë rajonale, historinë e Shqipërisë së Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme. Ndër të tjera ai shtoi se projekti për ndërtimin e Boshtit të Jugut do të kushtojë 491 milionë euro dhe do të nisë zbatimin shumë shpejt. Pollo u bëri thirrje qytetarëve të Beratit të votojnë Partinë Demokratike për të bërë realitet ndërtimin e kësaj vepre madhore në infrastrukturë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›