E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi AIITC shpall më të mirët e vitit

Fituesit e Çmimit AIITC u kurorëzuan dje në një ceremoni festive. Studiues, artistë dhe personalitete të ndryshme konkurruan midis tyre për të fituar çmimin e madh për tre kategoritë, pikërisht për librin më të mirë në fushën e shkencës dhe të kulturës islame, për pikturën më të mirë dhe për krijimtarinë më të mirë për moshat e reja. Tashmë është kthyer në traditë të konsoliduar Çmimi AIITC, i organizuar çdo vit nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, i cili ka në fokus krijimtarinë e vitit që lëmë pas. Për fituesin e vendit të parë në kategorinë  Libri më i mirë i vitit në gjuhën shqipe, që trajton tema në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame u akorduan 3000 dollarë, për kategorinë e pikturës u dha shpërblimi prej 1500 dollarësh dhe për krijimtarinë e moshave të reja në prozë dhe poezi u akorduan 500 dollarë. Organizatori dhe drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Dr. Ramiz Zekaj, në fjalën e tij përshëndetëse, në fillim të aktivitetit, theksoi se qëllimi kryesor i këtij evenimenti është stimulimi i krijuesve të talentuar për të qenë më shumë të motivuar në punën e tyre dhe që shkenca e arti shqiptarë të prekë majat më të larta të suksesit, e të renditet përkrah vendeve të tjera evropiane. Sipas Z. Zekaj në këtë edicion të tretë të Çmimit AIITC, numri i konkurrentëve është rritur ndjeshëm, por në mënyrë të dukshme është rritur edhe niveli artistik e shkencor i krijimtarisë së paraqitur, gjë e cila e bën më të bukur, por njëherësh edhe më të vështirë dhënien e Çmimit AIITC. Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe kulturës islame u vlerësua libri studimor me titull "Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe", i cili sjell për lexuesin shqiptar ajkën e krijimtarisë letrare arabe. Ky libër i hartuar me mjeshtëri nga profesori i orientalistikës në Universitetin e  Prishtinës, Dr. Feti Mediu, sjell një këndvështrim shumë origjinal dhe fakte shkencore të panjohura më parë. Vlerësime në këtë kategori morën edhe librat Vexhi Buharaja pa mite e mjegull, i autorit Yzedin Hima, libri publicistiko-letrar "Myftinia e Dibrës dhe Ruzhdi Lata" i autorit Mevlud Buci, libri "Hafiz Ibrahim Dalliu (Jeta dhe Vepra) i autorit Xhemal Balla, si dhe libri "Xhamitë e Tiranës i autorit Roald Hysa. Për herë të parë në historinë e kulturës shqiptare, akordohet një çmim i posaçëm për pikturat me tematikë Peizazhi në penelat e piktorëve shqiptarë, ku këtë vit me çmimin e parë u vlerësua piktori Idlir Koka. Kryetari i jurisë për krijimin më të mirë nga moshat e reja në prozë dhe në poezi, me temë E bukura në shpirt dhe në jetë ishte prof. dr. Arian Kadiu, i cili bëri të ditur edhe fituesit e kësaj kategorie. Kështu, me çmimin e parë u vlerësua studentja e Fakultetit Histori- Filologji, Aseda Behari, për romanin e saj Një jetë tjetër, ndërsa me çmimin e dytë për lëvrimin e poezisë  me thellësi filozofike u vlerësua Oltion Lila, student i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. Çmime inkurajuese u dhanë edhe për të rinj të tjerë të talentuar si: Sytrim Halitaj nga Kosova për vëllimin e tij poetik  Vesa e përditshmërisë, për poezitë e studenteve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Lindita Pima dhe Gentiana Zmalaj, si dhe për nxënësen e shkollës së mesme Qemal Stafa , Ejona Qesari.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›