E Diel, 1 Nëntor 2026

Violinistja ruse e konservatorit “Çajkovski” duartrokitet në Tiranë

16/03/2009  Sapo violina e saj nxori tingullin e parë, të gjithë në sallë e kuptuan se ajo ishte një ndër të shumtat violiniste virtuoze që vijnë nga vendi më i madh i Europës - Rusia.

Elena Korzhenevich ngrohu pak gishtërinjtë me frymën e saj dhe me shikimin nga dirigjenti Oleg Arapi filloi të interpretonte e sigurt pjesët e P. Çajkovskit dhe Ludvig van Bethovenit.

Korzhenevich dhe Arapi, një dyshe e goditur me një të përbashkët të madhe: konservatorin “Çajkovski” të Moskës, u ngjitën fundjavën e kaluar në skenën e Akademisë së Arteve me një koncert simfonik në kuadrin e Stinës Koncertore 2008-2009.

22-vjeçarja Korzhenevich me origjinë nga Perma dhe me banim në Moskë, është në vitin e fundit të konservatorit “Çajkovski” të Moskës. Më një sërë çmimesh nga konkurse të ndryshme ndërkombëtare Korzhenevich tregoi zotërim të skenës shqiptare me violinën e saj.

Pak mbas koncertit ajo zbulon diçka nga mbresat dhe mendimet e saj:

- Cilat janë impresionet tuaja të para pas koncertit?

- Është e vështirë ta them. Sapo u ktheva nga skena dhe s’e kuptoj ende se çfarë ndiej.

- Si u ndiet para publikut shqiptar?

- Është një publik shumë i mirë. Qartësisht e ndjeva se është një publik i interesuar për muzikën dhe duan ta dëgjojnë atë. Dhe për mua ishte një kënaqësi që isha aty.

- Kur e keni filluar violinën?

- Që në moshën 5-vjeçare.

- Si ndodhi?

- Ishte mami ajo që më dha shtysën e parë. Ajo është profesore pianoje në shkollë. Si fillim ajo kishte dëshirë që unë të luaja në piano. Por më pas nën ndikimin e ambientit fillova mësimet në violinë. Instrumentin e violinës e zgjodha vetë. Nuk e mbaj mend se si, por di që e bëra vetë këtë zgjedhje.

- Ju keni marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare, si ka ndikuar ky fakt në nivelin e koncerteve tuaja?

- Është si një favor. Nëse dikush të sheh dhe shpreh interes për nivelin e paraqitjes sate, do të jetë shumë mirë. Nëse jo, kjo nuk është mirë aspak. Është si loja e fatit “Gërvisht dhe fito”. Sot pjesëmarrjet nëpër konkurse nuk është se luajnë ndonjë rol kushedi çfarë. Pjesëmarrja në to nuk është se ndikon shumë në karrierën e mëtejshme.

- Keni dhënë shumë koncerte nëpër botë tashmë, cili publik të ka bërë më shumë përshtypje?

- Kur isha duke dhënë një koncert në Arabinë Saudite, më kujtohet se gjatë shfaqjes hodha një sy në publik dhe në radhë të parë vura re se të gjithë njerëzit ishin veshur me kostumet e tyre tradicionale. Më erdhi e papritur dhe u befasova.

- Ju keni interpretuar vetëm pjesë të kompozitorëve rusë?

- Po. Për fat të keq, unë nuk di asnjë vepër të kompozitorëve shqiptarë, por prof. Arapi më ka treguar shumë për muzikën shqiptare. Në planet e mia të afërta nuk është interpretimi i veprave të kompozitorëve shqiptarë. Nëse do të ketë një plan të tillë, me kënaqësi do ta bëj.

- Si ndodhi që dhatë këtë koncert në Shqipëri?

- Edhe unë me vështirësi mund të gjej një fije që lidh Shqipërinë me Rusinë në këtë koncert. Mund të them se prof. Oleg Arapi ka qenë student i violinistit virtuoz Leonid Nikolajev dhe ata janë shumë miq. Kur prof. Arapi i telefonoi Leonid Nikolajevit, ky i fundit foli me profesorin tim. Ai i sugjeroi emrin tim prof. Arapit. Dhe kjo ka ndodhur dy javë më parë. Ata më propozuan këtë program dhe u përgatita brenda një kohe shumë të shkurtër.

- Do të vini të luani prapë për publikun shqiptar?

- Nëse më ftojnë, do të vij me kënaqësi. Nëse udhëtoj, këtë ua dedikoj vetëm koncerteve. Ndërsa për pushime shkoj në qytetin tim të lindjes - Perm. Tani jetoj në Moskë.

Bisedoi: R. Hoxha

• Elena Korzhenevich

Lindi më 2 tetor të vitit 1987 në qytetin Perm. Filloi studimet për violinë në qytetin e lindjes, më pas vazhdoi kolegjin muzikor “Balakirev” në qytetin e Nezhgorodit. Në vitin 2005 filloi studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës në klasën e Artistit të Popullit prof. Vladimir Ivan Mihajlloviç. Ajo është fituese e shumë çmimeve në konkurse kombëtare e ndërkombëtarem midis të cilave konkursi i parë kombëtar i Rusisë “Harku magjik” më 1992 si dhe ato në Dubai, Turqi apo Bullgari.

• Dirigjenti Oleg Arapi për Elenën

Fakti është se unë vetë kam studiuar në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Pedagogu im atje, Leonid Nikollajev, me të cilin mbaj lidhje, më sugjeroi cilën të sjell në Shqipëri për të dhënë ndonjë koncert. Ky konservator dallohet për shkollën më të mirë në botë të harqeve, po ashtu edhe për pianon dhe dirigjurën. Elena Korzhenevich është një ndër më të mirat midis të mirave. Ajo vjen nga një shkollë me eksperiencë 170-vjeçare dhe me një traditë kulturore siç është konservatori “Çajkovski” i Moskës. Dhe kultura ndikon në zhvillim. Kjo është arsyeja që kam sjellë në Shqipëri shumë violinistë dhe pianistë nga ky konservator.

Në këtë kuadër, mund të them se violinisti më i shquar rus, Leonid Nikolajev, do të vijë në Shqipëri për një koncert më 3 prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›