E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Universitetet të punojnë më shumë për cilësinë

13/03/2009  Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet universiteteve tona dhe atij të Torinos

“Universitet shqiptare duhet të bëjnë më shumë në drejtim të cilësisë, e cila duhet të fillojë që me orientimin e duhur të maturantëve në ndjekjen e studimeve të larta, për të mos pasur probleme me tregun e punës në të ardhmen”, - kjo ka qenë deklarata e Presidentit Bamir Topi në ceremoninë e zhvilluar dje, ku Universiteti i Tiranës dhe ai Bujqësor kanë nënshkruar paktin e bashkëpunimit me Universitetit 600-vjeçar të Torinos. Shkëmbimi i përvojave jo vetëm në drejtim të stafit akademik, por dhe atij studentor do të krijojë kushtet e nevojshme për integrimin sa më të shpejtë të vendit tonë në strukturat evropiane. Aktualisht strukturat tona publike të arsimit të lartë, i kanë dhënë më shumë përparësi kuantitetit të pranuar vit pas viti, ndërkohë që cilësia është ende shumë larg rezultateve që ofrojnë institucionet e tjera homologe të huaja. “Dy degët sot në Shqipëri që preferohen në mënyrë shumë masive janë jurisprudenca dhe ajo ekonomike, çka do të thotë se nesër do të kemi një problem me tregun e punës. Pra, është shumë e rëndësishme që universitetet jo thjesht të krijojnë kushte që të arsimohen, kjo vlen kryesisht për universitetet publike, vlen shumë dhe për universitetet private, të cilat sot në Shqipëri ekzistojnë, janë shtuar, por nuk mund të them që janë në ato standarde që kërkon sot integrimi në Bashkimin Evropian. Kush më shumë sesa universitetet publike duhet të bëjë kujdes që përveç licencimit të rritet ndjeshëm dhe auditimi?! Pra, ajo lloj preference për të ndërtuar universitete, që është e lavdërueshme, duhet të shkojë patjetër paralel me motivimin për të rritur kualitetin”, - ka pohuar Presidenti Topi gjatë këtij aktiviteti. Ndërsa rektori i UT-së Dhori Kule ka pohuar se nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të synohet arritja e standardeve dhe treguesve që duhet të kenë edhe strukturat tona të arsimit të lartë, veçanërisht në rritjen e cilësisë akademike që do të nxjerrin. Ndërkohë i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori i Italisë në vendin tonë Sabah Delia, i cili është shprehur optimist për rezultatet pozitive që do të sjellë ky bashkëpunim, sidomos në integrimin sa më të shpejtë në rrjetin evropian.

Topi

“Ne nuk vuajmë sot nga masiviteti, ne sot vuajmë për kualitet, ndaj është e domosdoshme që sot të gjithë së bashku të sinkronizojmë përpjekjet tona, të sintonizojmë forcat tona që kualiteti të jetë pikërisht dominanti i punës së qarqeve akademike. Dhe unë jam i bindur se profesorët e nderuar, të cilët i njoh nga afër në të gjitha fushat (këtu ne kemi kualitete që ofrojmë), do të bëjnë të mundur fatmirësisht që këtë kualitet ta realizojnë edhe te formimi i studentëve”, - deklaroi Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›