E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visar Zhiti rrefen diktaturen me "RRUGËT E FERRIT” dhe "FERRI I ÇARË"

13/03/2012  Shtëpia Botuese OMSCA-1 nxori në qarkullim librat

të autorit të njohur VISAR ZHITI.

Dolën dy librat e Visar Zhitit, “Rrugë e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, burgologji për kampet e tmerrshëm të Spaçit dhe të Qafë-Barit, të cilën mund të gjenden si botim dhe në një kuti të vetme nën titullin e përbashkët “Rrugët e ferrit të çarë”.

Me këtë botim të ri vepra monumentale, dy burgologjitë vijnë të plotësuara me ide e ndodhi, kumte e ndjesi të reja, por dhe me dokumente autentikë, që në tërësinë e tyre kanë dhënë një kryevepër të kujtesës kolektive, nga më të vyerat e më të arrirat, që, edhe pse pasqyrojnë vuajtjen dhe dhunën e kaluar, janë të dobishme për të sotmen dhe çka është më e rëndësishmja, për të ardhmen. Me talentin e tij të mrekullueshëm, me forcën magjepsëse të penës së tij, Visar Zhiti këtë përvojë e ka shndërruar në bukuri tronditëse artistike, në letërsi, një lloj eposi modern, ku gërshetohen, përmes mallit të pashterur për jetën, tragjikja e shkaktuar nga shteti mbi brishtësinë e njeriut, e vrazhda e kohës me qendresën e pakohë, dhëmbja me humorin e zi, porosia për shpresë edhe kur nuk ka shpresa.

Natyrisht në to gjejmë vazhdimin, rënien e diktaturës dhe ecjen drejt demokracisë dhe lirive.

RRUGËT E FERRIT

Të dhëna teknike:

Titulli: Rrugët e ferrit

Autori: Visar Zhiti

Redaktor: Loredan Bubani

Shtëpia Botuese: OMSCA-1

Faqe: 576

Çmimi: 1200 lekë

576 faqet e këtij libri, të ndarë në kapitujt e nënkapitujt, lexohen si një roman i madh, fryma humane e të cilit ngrihet mbi atë përditshmëri tiranike. Vlerë tjetër fondamentale është se të gjitha ngjarjet e ndërkallura të tij, shpesh të pabesueshme, janë të vërteta, të përjetuara nga autori apo bashkëvuajtësit e tij, sepse, sipas autorit, gjithçka e krijoi ai realitet diktatorial në epokën e komunizmit dhe nuk kishte pse të fantazoje për më tepër, fati diabolik krijoi dramën e një populli dhe vepra “Rrugët e ferrit” është një dëshmi e madhe dhe besnike me nivel të lartë artistik e një pjese të saj, asaj të nëndheshmes, më të rëndës, ku ishin rroposur kundërshtarët e regjimit. Dhe pikërisht prej saj kuptohet më së miri e tëra.

Vepra nis me një arrestim të beftë, kalon te hetuesia sfilitëse, gjyqi, dënimi, absurd dhe dhunues për sot, vetëm nga shkaku i poezisë, që është metaforë e njerëzores, e lirisë së brendshme, e ëndrrës dhe e kundërshtimit. Pastaj burgu i tmerrshëm i Spaçit, minierat e tij si një ferr real.

Po kështu dhe gjithë personazhet atje janë të vërtetë, me emrat e tyre të njëmendët, të identifikueshëm, të mirë e të këqinj, të njohur e të panjohur, me uniforma burgu e me uniforma ushtarake, të dënuar e të padënuar, politikanë, të çmendur, artistë, provokatorë, policë, gjyqtarë, kuaj, mace, qen, minj, spiunë, shkelje të drejtave të njeriut, delire, vdekje, trishtim pafund dhe libra, libra në burg.

Dhe çudia, protagonisti shkruan prapë poezi fshehurazi, shpesh nuk i shkruan fare, por i krijon me mend, kujtesa është personazh i padukshëm, por qendror. Të bëje atë që i ishte e ndaluar, për të cilën dhe ishe dënuar. Kjo është sfida, sa e rrezikshme po aq dhe e bukur frikshmërisht, hyjnore përmes baltës dhe gjakut. Ky trill mund të paguhej dhe me jetën. Po aty mungon jeta, veç ngërthehet mbijetesa si instikt i shenjtë. Këtë na tregon ky roman, një mjedis të mbyllur e mbytës, burgun dhe minierat e tij, pra mungesën e hapësirës, por ai ka hapësirat e pa masa të njerëzores, ngushtësia zevendësohet me thellësinë, dashuria me ëndrrën, sofra familjare me urinë për jetë, jeta dhe vdekja me mosjetën dhe vrasjen e ngadaltë.

Visar Zhiti ka ringritur një ferr dantesk, ku dhe vetë Danteja do të ndihej keq, i hutuar, se edhe rrathët klasikë të ferrit janë copërluar duke u shndërruar në copra rrugësh që nuk të çojnë asgjëkundi, përveçse të lënë në vend, në ferrin shkretan shqiptar.

Në ndryshim me të gjithë librat e tjerë me temën e burgjeve e të internimeve, që sigurisht kanë vlera të paçmuara, sidomos në raport me të vërtetën e moralin, që tashmë po quhen dhe si librat e ferrit, mbase ky titull u është dhënë së pari nga vetë Visar Zhiti me botimet e më parshme të këtij lloji, na sjell dhe atë që mungonte, përjetimet e njeriun në kushtet e frikshme të burgimit, ndjesitë e vetmisë mes të tjerëve dhe të tjerët, të gjithë së bashku pa vetvetet, si një e tërë, si një popull i mjerë, që megjithëse i mbyllur brenda telave me gjëmba, qendron, dhe ruan në thellësi të shpirtit atë pakëz dritë humane si qiririn e fundit, që do ti duhet flakës së të ardhmes.

Romani i vërtetë i Visar Zhitit, “Rrugët e ferrit”, na sjell ndryshe nga të tjerët, qoftë dhe nga ajo e përvojave të kujtesës botërore, gumëzhimën e çuditshme, atë zhurmëtirë njerëzore të burgut, të turmës anonime, e cila ngrihen në ajër dhe del, e pa penguar dot nga rojat me armë dhe telat me gjëmba dhe pikërisht kjo duket se është e pamposhtura, e paasgjesueshmja, dëshmi në ajër e dufit, që e bën këtë roman të veçantë e magjepsës, pasuri të letërsisë shqipe.

Në kopertinë e pasme të librit “Rrugët e ferrit”

do të lexoni:

Prangat në duart e Zhitit nuk janë vetëm prangat e tij, por të njeriut përgjithësisht... Autori na përkujton "se liria më shumë është gjendje shpirti, se sa trupi". Zëri i tij sjell dhimbjen e Shqipërisë, të një kohe të dhimbshme. Në thjeshtësinë e tij Visar Zhiti është kompleks, i thellë, shumështresor, plot shpirt. Ai të përvetëson me nivelet e mendimit të tij, me fisnikërinë e ndjenjave si dhe me aftësinë që të shprehet lehtë e fuqishëm.

Bozidar Prosenjak

shkrimtar kroat

...romani shfaqet si një tekst që kuptohet qartë dhe asimilohet menjëherë. Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues tjetër i çfarëdollojtë dhe ky fakt i detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent, i kthjellët dhe pjesëmarrës...

Liviu Lungu

shkrimtar rumun

Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën ti ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Eshtë dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit 20, degjeneruan në një tirani të përditëshme. Kevin Higgins,

shkrimtar dhe botues anglez

FERRI I ÇARË

Te dhena teknike:

Titulli: Ferri i çarë

Autori: Visar Zhiti

Redaktor: Loredan Bubani

Shtëpia Botuese: OMSCA-1

Faqe: 560

Çmimi: 1200 lekë

560 faqe libër, që të përthithin të gjithin duke ta mbajtur frymën pezull, ndërkohë janë dhe dokument i gjallë që dëshmon dhunën e madhe e të gjithanshme të diktaturës dhe qëndresën ende më të madhe të atyre që i dolën përballë.

“Ferri i çarë” aq sa është vazhdim i romanit “Rrugët e ferrit” po aq qëndron dhe si vepër më vete, pavarësisht se një pjesë e personazheve janë po ata, por të shpërngulur ashtu siç dhe u ndodhi në jetë, që i kaluan të lidhur nga njëri burg në tjetrin. Ndërkaq situatat dhe personazhet, të vërteta të gjitha, me emrat e tyre përsëri, pa sajesa romanore, pavarësisht se vepra lexohet si një roman magjepsës dhe në fund të fundit është i tillë, ku autori nuk e ndjeu të nevojshëm të fantazojë dhe të shpikë, sepse siç thoshte Dostojevskij, jeta ia kalon edhe fantazisë më të çthurur.

Detyra e Visar Zhitit ishte të përzgjidhte mes përjetimeve, ta shkruante tekstin si një shkrimtar i vërtetë, ashtu siç e ka vënë në dukje dhe kritika jonë letrare. Ndërkaq Zhiti, sipas studiuesit Ali Aliu, e zotëron veprën e vet me fuqinë e një sovrani.

Në këtë roman na bëhet i njohur një tjetër burg, minierë tjetër, komandë tjetër, por po ajo përditshmëri e pabesueshme ferri, e cila kulmon me revoltën e të burgosurve, me shtypjen e dhunshme të saj, me pushkatimet e nismëtarëve. Është e vetmja vepër që na e jep qartë dhe dhembshëm këtë kryengritje të burgosurish, si nisi, pse, si u përhap, si veproi, çfarë kërkohej, si trandi diktaturën, si përsëdyti revoltën e mëparshme të të burgosurve në Spaç, të vetmet në të gjitha burgjet politike të perandorisë komuniste.

Autori, i pranishëm në revoltë, i shkrin të dyja revoltat në një si palimpsest të vetëm, që fërgëllon i përgjakur në ajër. Pas ardhjes së helikopterit qeveritar me shefat e Ministrisë së dhunës, revolta shtypet me terror dhe përfundon me tragjedi.

Romani thyen kohët dhe ngjarjet, krijon fraktura, teksti sikur çahet dhe vërshon ferri si ujë i zi dhe herë pas here duke u alternuar, ngjarjet mbërrin deri në ditët tona, ku gërshetohen ëndrrat, drita, trishtimet, dashuria, ironia therëse, zhgënjimet, humori dhe si gjithmonë shpresa si një poezi e brendshme.

Personazhe nga më të ndryshmet, që nuk shlyhen më nga kujtesa, edhe kur janë të përvijuar paksa, sepse është gjetur më e veçanta, më mbresëlënësja, së pari vetë autori, kthimi i tij në shtëpi, takimi me babanë e verbër, kështu nis romani, pastaj retrospektivat, bashkëvuajtësit njëri pas tjetrit, si Inxhinier Farka ose Fausti i Burgut, Kapitan Maksi, shqiptaro-rusi Valer Dyrzi-Tarsov piktor, Sherif Merdani - këngëtar, përkthyes të Homerit dhe të Dantes, pastaj Sokol Ngjela ose Linci siç e thërrisnin, Nurja, Tiku, Malua që u vra në burg, Vasfiu që vranë pas burgut, arkivolet në burg, vjedhja e floririt, spiunë prapë, minj prapë dhe poezi e fshehtë, etj., dhe kalimet e befta jashtë burgut apo në liri, (të cilat në roman janë në të shtypura në shkronja italike) edhe jashtë Shqipërisë, skenat e shpejta me shkrimtarët Mitrush Kuteli, Frederik Rreshpja, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Bashkim Shehu, etj, befas muzikanti Gaspër Çucia, që e pushkatuan, gruaja e bukur, gruaja prej ëndrre, një letër e Kadaresë, shëtitja me të, kontaktet me Dritëro Agollin, etj, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, kolektivi atje e deri edhe takimet me Jevtushenkon, Transtromerin, etj., me politikanë të lartë, me Presidentë, Berisha, Arbnori, etj, puna në gazetën e opozitës, në ambasadë, njohja me Edi Ramën, kur vinte si piktor në Lushnjë, bashkëqytetarët e tij atje, etj., fabrika e tullave, fushat e internimit, bashkëvuajtësit prapë Dine Dinia, Mirakajt, Kupi, Staravecka, etj., operativët e Sigurimit të Shtetit, përndjekjet në vijim, protestat e para, kthim mbrapa, qelitë, vdekja e Enverit, pushkatimet e dy shokëve të burgut, Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, varja e Havzi Nelës, etj, etj. dhe epilogu si një bilokacion shenjtësh, imazhi i gruas, të gjitha të ndërthura si në një film, ku siç thamë, pamjet herë ikin shpejt, marramendshëm dhe herë ngadalë si në makth.

Ngjarjet e tij ngjajnë me mozaikë të papërsëritshëm, të çarë, të mbuluar me baltë dhe gjak, që autori si me magji i nxjerr në një si dritë hyjnore. Mbi to, si hapat e zbathur të një femre të bukur, ecën e ardhmja. Duke lexuar romanin, kapitull pas kapitulli, ndjen muzikë, shpesh funebre, si dhe stuhitë bethoveniane.

Një ferr dantesk, 9 rrathët që përsëriten si 9 rrethimet e burgut apo si 9 kapitujt e këtij romani të çuditshëm, i rrallë për nga forma dhe përmbajtja, ku e pazakonshmja është bërë e zakonshme. Hataja e bashkuar me sinqeritetin, e nënkuptuara me të kthjelltën, zymtësia me të rëndomtën, tragjikja me martirizimin, estetika që i hap vend etikës, madje barabar, një kthim madhështor tek e vërteta dhe morali, ku humanizmi fryn më fort se erërat dimërore në atë humbëtirë. Ribërja e atij realiteti na ka dhënë një roman të shkëlqyer ekzistencial, ku jeta kapet me thonj dhe me dhëmbë pas jetës. Endrra ndjek ëndrrën, dëshira dëshirën dhe njeriu mbron vetveten...

Në kopertinë e pasme të librit “Ferri i çarë”

do të lexoni:

...teksti i Visar Zhiti është një afresk gjithëpërfshirës dhe tepër i gjerë, me thellësi, në të cilën asnjë nga sëmundjet (defektet) e regjimit nuk është harruar. Në tekstin e Zhiti bashkëkzistojnë lumturisht, me domethënie të thella, sekuenca të tmerrit dhe të poezisë së ndjeshme... grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe dhe fatalizmi më gjunjëzues. Aurel Maria Baros

shkrimtar rumun

Kjo kronikë tmerresh të kohës është pa kurrfarë fryme ligësie e urrejtjeje dhe pa atë tiparin kaq shqiptar – thirrjen e palëkundur për hakmarrje...

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij.

Robert Elsi

albanalog dhe studiues kanadez

Librat e tij dëshmojnë dhe vitet e burgut, dhe zbardhëllimën e demokracisë, karakterizohen nga kërkimet stilistikore gjithë romantikë, në të cilat shquhen jehonat si në hermetizmin italian, ashtu edhe të poetëve rusë edhe francezë.

Enciklopedia “La Piccola Treccani”

“Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” tashmë bëjnë pjesë në veprat më të fuqishme të letërsisë moderne shqiptare, në më të rëndësishmet e saj. Njëherësh është dhe kontribut ndaj letërsisë botërore me temën e burgjeve, prandaj dhe përkthimi i tij në një nga gjuhët e mëdha do të ishte i dobishëm, projekt kulturor, që duke shpalosur vlera siperane artistike, do të dëshmonte dhe shpirtin e paepur shqiptar në luftë me keqen, fare natyrshëm si dhe hovin e ri drejt lirisë dhe qytetërimit europian.

VISAR ZHITI

është autor i shumë librave me poezi dhe në prozë, tregime, romane, ese, të botuara jo vetëm në Shqipëri, në Republikën e Kosovës në Maqedoni e Mal të Zi e kudo ku shqiptarë, por dhe është i përkthyer në mjaft gjuhë të botës, anglisht, frengjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, greqisht, serbo-kroatisht, holandisht, flaminge, ebraisht, arabisht, etj. është i përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe dhe në shumë antologji botërore. Eshte vlerësuar nga lexuesi dhe kritika shqiptare dhe e huaj, si në Itali, Angli, SHBA, Francë, Austri.

Ka marrë çmime të rëndësishme letrare në Shqipëri dhe jashtë saj.

- “Çmimi Kombëtar” për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994

- “Velija” - Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë 1995

- “Naim Frashëri”, Tetovë, 2001

- “Kalimerja”, Ulqin, 2002

- “Çmimi i parë i poezisë”, Gjakovë, 2003

- “Penda e argjendë”, për romanin më të mirë të vitit, 2003

- “Asdreni”, Korçë, 2005

- Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007

- “Shkrimtari më i mirë i vitit”, Panairi i librit, 2008, Tiranë.

- Pen Clubi i Gjilanit, çmimi “Beqir Musliu”, 2009, Kosovë.

- Çmimi “Gjergj Fishta” ese, 2010, Tiranë, etj.

në Itali:

- Leopardi doro, Milano, 1991

- Racconta il tuo Dio, Milano 1992

- Gaetano Salveti, Romë, 1997

- Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998

- Premio Internazionale per la poezia: “La cultura del mare”, San Felice Circeo, 1999

- Premio alla carriera, Romë, 2000, etj.

- Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë 2007, etj.

Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali.

Eshtë anëtar i PEN Clubit italian, i pranuar në një ditë me poetin e njohur Evgeni Jevtushenko, Milano 2008.

Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në disa enciklopedi të vendit (“Fjalori Enciklopedik”) dhe të huaja (“Piccolo Treccani”, Itali, “Fjalori histroik i Shqipërisë”, 2011, Angli, USA).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›