E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia për “Gërdecin” 95 vjet burg për 26 vrasje

13/03/2012  Gjykata e Tiranës shpall dënimet: Delijorgji 10 vjet, 18 Pinari e Minxholli. Disa të pafajshëm

TIRANË- Drejtësia e tha dje fjalën e saj për tragjedinë e Gërdecit, kur dënoi Pinarin e Minxollin me nga 18 vjet burg, Delijorgjin me 10 vjet dhe ish-gjeneralin Luan Hoxha me 6 vjet burg. Kështu mbaroi saga e dhjetëra seancave gjyqësore, ndërsa në fund të vendimit, kur 3 të pandehurit kyç e morën dënimin me telefon nga avokatët, familjarët e viktimave nisën kujën, duke mos u pajtuar me këto vendime. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado i lexoi dje dënimet për të pandehurit e çështjes “Gërdeci”, 3 ditë para përvjetorit të katërt të kësaj tragjedie, ku humbën jetën 26 persona. Ajo që spikati në këtë vendim ishte rrëzimi i akuzës për vrasje dhe mungesa e ish-gjeneralit tashmë të zhdukur Luan Hoxha, për të cilin thuhet se është larguar në SHBA. Ndërkaq, disa nga të akuzuarit u shpallën të pafajshëm, ndërsa disa të tjerë u dënuan maksimumi me nga 3 vjet burg. Të dënuarit do t’i apelojnë këto vendime në Gjykatën e Apelit, ndërsa edhe Prokuroria do të bëjë rekurs.

Pinari, Delijorgji e Minxolli

Ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore të armëve “MEICO”, Ylli Pinari, u dënua me 18 vjet burg. Prokuroria e kishte akuzuar Pinarin si projektues dhe ndërtues të fabrikës së Gërdecit dhe kërkoi burgim të përjetshëm, përjashtim nga e drejta e të ushtruarit të detyrave shtetërore dhe 2 milionë lekë gjobë. Pronari i kompanisë së çmontimit “Albademil”, Mihal Delijorgji, u dënua me 10 vjet burg dhe 5 vite dënim plotësues. Prokuroria kërkoi burg përjetë. Gjatë kohës nuk mund të drejtojë asnjë kompani. Shoqëria “Albademil” u dënua me 25 milionë lekë gjobë dhe ndalim të pjesëmarrjes në tendera shtetërore për 10 vjet, dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me tregtinë e armëve. Ish-drejtori i kompanisë “Albademil”, Dritan Minxolli, u dënua me 18 vjet burg. Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm. Ata janë arrestuar para 3 vitesh dhe një ditë burg në paraburgim llogaritet me një ditë e gjysmë. Kështu, nëse lihet në fuqi ky dënim Delijorgjit i mbeten edhe 5 vjet e gjysmë burg, ndërsa Pinarit dhe Minxollit edhe 13 vjet e gjysmë burg.

Ushtarakët

Ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë u dënua me 6 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksionet e tij në administratën shtetërore për 4 vjet. Prokuroria kishte kërkuar 8 vjet burg për shpërdorim të detyrës si komandues dhe ndalim për 5 vjet i të drejtës së ushtrimit të profesionit. Në bankën e mbrojtjes, gjatë gjithë seancave të fundit ndodhej përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Brahim Lahi. I kontaktuar nga media avokati Lahi mohoi të kishte komunikuar me klientin, gjeneralin Hoxha. “Nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me klientin tim”, u shpreh avokati Lahi. Të pafajshëm janë shpallur të pandehurit Ardian Mullai e Agim Lala. Çështja që numëronte 29 të pandehur vijoi me leximin e vendimeve të tjera, ku disa të pandehur u shpallën të pafajshëm, kurse disa të tjerë me nga 1 vit burg dhe gjobë në para. Me nga 3 vjet burg janë dënuar Dashnor Çaushi, Ilmi Laçaj, Gëzim Oshati, Jorgo Mino, etj.

Vendimet

1-Mihal Delijorgji 10 vjet burg

2-Ylli Pinari 18 vjet burg

3-Dritan Minxolli 18 vjet burg

4-Sokol Ngjeci 10 vjet burg

5-Luan Hoxha 6 vjet burg

6-Ardian Mullai i pafajshëm

7- Agim Lala i pafajshëm

8-Dashnor Çaushi 3 vjet burg

9- Ilmi Laçaj 3 vjet burg

10-Gëzim Oshati 3 vjet burg

11-Jorgo Mino 3 vjet burg

12-Bahri Toska 3 vjet burg

13-Zenun Ferro 3 burg

14-Ndue Marku 3 vjet burg

15-Fatbardh Kuci 3 vjet burg

16-Shpëtim Spahiu 4 vjet burg, dënimi pezullohet për 3 vjet

17-Hysni Cocka 3 vjet burg

18-Zija Bahja i pafajshëm

19-Myqerem Mato i pafajshëm

20-Agim Babamedo i pafajshëm

21-Besnik Dauti i pafajshëm

22-Adriatik Mema i pafajshëm

23-Ardian Tartari 1 vit burg

24-Të rishqyrtohet çështja ndaj Lafti Shatri

25-Shkëlzen Madani me 3 vjet

26-Shoqëria “Albademil” gjobitet me 25 milione lekë dhe ndalohet për 10 vite në pjesëmarrjes në prokurime publike.

Deklaratë e familjarëve të Gërdecit

“Me këtë vendim drejtësia, e

Vonuar, por edhe e dështuar”

Në deklaratë thuhet se, “Familjarët e viktimave të shpërthimit në Gërdec sot në datë 12 mars 2012, megjithë dhënien e një vendimi nga gjykata e Tiranës, ende pyesin se kush i vrau të dashurit e tyre. Sot pas 4 vitesh seancash maratonë të sistemit të drejtësisë, më në fund është zbuluar se kush dëmtoi muret rrethuese të shtëpive, se cili shkaktoi dëm me anë të vjedhjes së municioneve, se cili falsifikoi dokumentat nga një zyrë e shtetit tek tjetra, por ngeli ende enigmë se cili vrau 26 veta nga të dashurit tanë. Dhënia e vendimit shkaktoi tek ne si të dëmtuar drejtpërdrejtë nga shpërthimi, dhimbje të njëjtë me atë të vetë ngjarjes. Në u përballëm me vrasje në masë dhe si e tillë duhet të ishte gjykim në masë ndaj këtij krimi që na u shkaktua. Autorët e krimit ose nuk u gjykuan, si në rastin e Fatmir Mediut, ose nuk u dënuan për krimin kryesor, atij të vrasjes së 26 personave të pafajshëm. Ne kemi 4 vite që zgjohemi pa të dashurit tanë, por që nesër jemi të bindur se po zgjohemi të gjithë si shqiptar pa institucione shtetërore. Ky krim i shëmtuar i përket të gjithëve. Sot gjithkush mund të vrasë për shkak të fitimeve të veta dhe precedenti tregon se nuk do të dënohet në masën e duhur. Eksperienca nga ky vendim tregoi se “jeta” për institucionet është e pavlerë, kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë. Me këtë vendim, drejtësia nuk ishte vetëm e vonuar, por në njëjtën kohë dhe e dështuar.

Kuja e nënës së dëshpëruar

Zamira Durda, nëna që humbi djalin e saj të vogël, Edisonin tentoi të bllokonte derën e gjykatës, për të mos lënë gjyqtarët të dilnin nga salla. Në gjëndje tepër të rëndë shpirtërore, dhe tepër e indinjuar nga dënimet e ulëta të gjyqtarëve gruaja e veshur në të zeza mbante duart në kokë dhe bërtiste me të madhe. “Dolën kriminelët nga burgu. Më vranë djalin. Na dogjët dhe na vratë. T’i djegim me benzinë gjyqtarë e prokurorë”,- bërtiste Zamira, ndërsa gazetarë, policë përpiqeshin ta qetësonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›