E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parkimi nëntokësor në sheshin “Italia”, ja tarifat

13/03/2012  Basha nënshkruan marrëveshjen koncencionare

Nis ndërtimi i parkimit tw parë nëntokësor në me kapacitetet për rreth 1000 automjete

Pranvera Kola

Mungesa e vendeve të parkimit për vite me radhë është shndërruar në një gangrenë për kryeqytetin, pasi jo vetëm ka ndikuar në rëndimin e trafikut, amortizimin e rrugëve, por edhe në shtimin e ndotjes si pasojë e sorollatjeve të shumta të automjeteve. Kjo situatë pritet të marrë zgjidhje brenda një harku të shkurtër kohor me ndërtimin e të parit parking nëntokësor në kryeqytet. Ky hap është finalizuar gjatë ditës së djeshme nga Bashkia e Tiranës, e cila ka përmbyllur marrëveshjen koncensionare me firmën përkatëse. Marrëveshja koncesionare, e në shkruar mes kryebashkiakut Lulzim Basha dhe përfaqësuesit të subjektit “Gener 2” Bashkim Ulaj, i ka hapur rrugë fillimit të procedimit të mëtejshëm për ndërtimin e këtij parkimi nëntokësor, që do të shtrihet në sheshin “Italia”. Parkimi nëntokësor zë një sipërfaqe prej afro 9 mijë metra katrorë. Ajo do të shtrihet në katër nivele nëntokësore dhe do të ketë hapësirë parkimi për 1000 automjete. “Pikë së pari, të gjithë e dimë se sa i vështirë është parkimi në qytetin tonë, se çfarë frustrimi përjeton automobilisti që do të shkojë nga njëri vend në një vend tjetër për të gjetur një vend parkimi të përshtatshëm, frustrim të cilin e ndiej edhe personalisht, dhe kur e ndien kryetari i Bashkisë, i cili zakonisht lëviz me shofer, imagjinoni se çfarë ngërçi dhe se sa shumë probleme shkakton te qytetarët”, - ka deklaruar Basha.

Ndërtimi i parkingut

Jo pak, por rreth 1000 mijë automjete do të mund të strehohen për orë të caktuara në parkingun e ri që do të ndërtohet në sheshin "Italia". Sipas ekspertëve, rrugët dhe hapësirat në të dyja anët e kësaj sipërfaqeje sot janë ndër arteriet më të zëna të qytetit nga orët e hershme të mëngjesit deri në orët e vona të darkës dhe kushdo që kalon nëpërmjet këtyre arterieve gjatë ditës e ka të qartë vetë se sa frustuese është pritja në trafik për t’u futur apo dalë nga rruga e Elbasanit, apo për t’u futur e dalë nga arteriet e tjera, që shtrihen në anët e zonës ku projektohet të ngrihet parkimi nëntokësor. Më tej Basha ka shtuar se është në proces të finalizimi plani i ri urbanistik dhe paralelisht po ecet dhe me investime të tjera strategjike, si: zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i parqeve të reja, ndërtimi i një terminali të ri multimodal për pasagjerët e qytetit dhe ndërqytetës. Këto projekte nuk do të ishin të plota pa një mozaik të përshtatshëm parkimesh nëntokësore, mbitokësore, për të menaxhuar kështu parkimet e pakujdesshme në anë të rrugës që shtojnë kaosin.

Sigurohen vende të reja pune

Kjo vepër, e cila do të fillojë të ndërtohet së shpejti, shihet edhe si një ndër mundësitë më të mira për sigurimin e vendeve të reja të punës. “Do të hapen me mijëra vende pune, po të kemi parasysh zinxhirin që tërheq industria e ndërtimit anembanë degëve të ndryshme të furnizimit, mirëmbajtjes e shumë e shumë aspekteve të tjera. Është një investim me vlerë prej 1.6 miliard lekësh, afro 12 apo 13 milionë euro në vetvete, por pa dyshim një investim që do të tërheqë pas vetes shumë e shumë miliona euro të tjera dhe do të hapë me mijëra vende pune për qytetin gjatë ndërtimit dhe natyrisht pas ndërtimit do të jetë një front pune i ri në kryeqytet”, - ka shtuar Basha. Sa i takon shqetësimit të ngritur mbi miratimin e këtij vendimi vetëm me votat e këshilltarëve të djathtë, ndërsa ligji kërkon 3 të pestat e këshillit, Basha ka deklaruar: “Është zgjidhur plotësisht sipas ligjit. Është e vërtetë se paraqitja e plotë e dokumentit në këshill bashkiak ishte në tejkalim të kompetencave të këshillit, por këshilli bashkiak tashmë e ka dhënë aprovimin e tij në një fazë paraprake. Kjo pasi ka qenë këshilli i kaluar bashkiak që me propozim të administratës së kaluar ka miratuar tarifat, ndërsa pjesa tjetër e vendimmarrjes deri në nënshkrimin e kësaj kontrate, sipas mendimit të prefektit dhe sipas mendimit të ATRAKO-s, që është (Agjencia Kombëtare e Koncesioneve) kryhet midis administratës, kryetarit të Bashkisë dhe palës koncesionare, dhe kjo është mënyra se si është proceduar ligjërisht.”

Tarifat që do të paguajnë qytetarët për përdorimin e parkingut

Në mbyllje të vitit të shkuar këshilli bashkiak i Tiranës ka aprovuar tarifat që do të paguhen për orare të caktuara parkimesh. Firma që ka marrë me koncesion këtë parking deri në përmbyllje të afatit të përcaktuar do të jetë e detyruar që t’i përgjigjet listës së çmimeve të referencës që ka miratuar këshilli. Vendimi saktëson se përpara fillimit të operimit të shërbimit nga koncesionari Bashkia e Tiranës duhet të miratojë tarifat e zbatueshme që do të aplikohen për parkimin nëntokësor. Deri në përfundimin e punimeve dhe në marrjen e një vendimi tjetër nga këshilli bashkiak për këtë koncesion do të aplikohen tarifat referencë të parkimit, përderisa nuk bien në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Në rast se tarifa e zbatueshme është më e ulët se tarifa referencë e parkimit, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë politika dhe vendime që ndikojnë në kompensimin e efektit financiar negativ. Sipas detajimeve të bëra në vendim, bëhet me dije se tarifa e parkimit për një orë do të kushtojë rreth 150 lekë. Me shtimin e orëve kjo tarifë do të pësojë edhe ulje, që i gjeni të detajuara në tabelën bashkangjitur shkrimit, të specifikuara edhe për kategoritë e veçanta, së bashku me çmimin e biletave.

Tarifat e referencës për parkimet nëntokësore si dhe pajtimet periodike

Tarifa e parkimit

Ora 1, 150 lekë/orë

Ora 2-4, 54 lekë/orë

Ora 4-8, 48 lekë/orë

Ora 8-12, 44 lekë/orë

Biletat

Biletë ditore, 361 lekë

Biletë nate, 22-07, 351 lekë

Biletë mujore, 10.833 lekë

Tarifa koncesionare 10%

Tarifat e parkimit për kategori të veçanta

Ora 1, 31 lekë/orë

Ora 2-4, 31 lekë/orë

Ora 4-8, 31 lekë/orë

Ora 8-12, 31 lekë/orë

Biletë ditore, 133 lekë

Biletë nate, 22-07, 279 lekë

Biletë mujore, 4.000 lekë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›