E Diel, 1 Nëntor 2026

Visente Del Boskue: “El Clasico” në finale të Champions League

Shorti i gjysmëfinaleve të Champions League me çiftet Bayern Mynih – Barcelona dhe Borusia Dortmund – Real Madrid sjell mundësinë e një finaleje brenda shtëpisë, qoftë në një derbi gjerman, qoftë edhe për klasiken e famshme spanjolle. Dualiteti midis këtyre dy kombëtareve, të cilat renditen në vendin e parë dhe të dytë në botë në klasifikimin e FIFA-s, do të vijojë edhe në rang klubesh. Është lehtësisht e imagjinueshme që për finalen e Champions League çdo shtet ëndërron klasiken që i përfaqëson. Këtu nuk bën përjashtim as trajneri i kampionëve të botës dhe Europës, Visente del Boskue, i cili shpreson për një klasike spanjolle në finalen e Champions. 

“Të gjithë në Spanjë dëshirojnë një finale midis Barcelonës dhe Realit Madrid. Do të jetë një finale e madhe nëse këto dy skuadra ndeshen bashkë, sepse pjesa më e madhe e tyre luajnë për kombëtaren spanjolle. Do të ishte një tjetër hap përpara për futbollin spanjoll. Në vitet e kaluara kemi parë që futbolli spanjoll është përfaqësuar mirë edhe me skuadra si Valencia, Sevilja apo Vilareal” – ka thënë Del Boskue.
Skuadrat spanjolle kanë fituar 5 nga 13 trofetë pas vitit 2000 në Champions League. Dhe nëse në finale do të kemi një “El Clasico”, atëherë dominimi spanjoll do të jetë i dukshëm.

(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›