E Diel, 1 Nëntor 2026

Visha: Ja plaga e Drejtësisë, dhjetëra të pafajshëm në burg

Ardian Visha

Flamur Vezaj

Kandidati i PS-së për vendin vakant në KLD, avokati Ardian Visha shpall ambicien e tij për të qenë anëtar i kupolës së Drejtësisë. Ish prokurori i mirënjohur dhe avokat po kaq i dëgjuar, nuk e fsheh se ka siguruar tashmë mbështetje nga të dy krahët e politikës në Kuvend. Këndvështrimi i tij për punën e drejtësisë është origjinal dhe shprehet për herë të parë në këtë intervistë

Shekulli: Kandidatura juaj për në Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një background në role të ndryshme, por për publikun jeni më i njohur si avokat i politikanëve që kanë pasur probleme me drejtësinë. E dëmton kjo kandidaturën tuaj apo e ndihmon?

A.Visha: Unë nuk jam i interesuar të ndërtoj raport me publikun, por raporte me njerëzit të cilët më njohin në punë dhe në jetë. Të gjitha këto raporte jam përpjekur ti ndërtoj ndershmërisht dhe me gjithë sakrificat legjitime. Mbi bazën e tyre mendoj se duhet të shpërblehem në kuptimin e mirë të fjalës shpërblehem dhe të gjej veten time institucionalisht aty ku mendoj se mund të kontribuoj. Edhe në këtë këndvështrim, natyrisht para se të jem avokat kam qenë prokuror dhe mendoj se do të përçoj përvojën time si avokat dhe prokuror njëkohësisht në Këshillin e Lartë të Drejtësisë që të ndikoj me votën time mbi atë që unë e konsideroj problematik në gjyqësor dhe të shpreh në mënyrë transparente pro dhe kundër çdo rasti që do të kem në gjykim.

Si e pranuat propozimin e Partisë Socialiste, nuk ju shqetëson fakti se mund të paragjykoheni politikisht?

Jo vetëm që e pranoj, por edhe e kam nxitur propozimin e Partisë Socialiste dhe është një iniciativë tërësisht e imja për të realizuar këtë qëllim. Natyrisht në këndvështrimin e përmbushjes së atyre aspiratave që kam, profesionalisht dhe moralisht si individ për realizuar në jetë. Nuk mendoj se jam i paragjykuar. edhe po të jem, ky është një paragjykim i gabuar.

Sipas jush nuk e dëmton imazhin tuaj, të qenurit mbrojtës i disa zyrtarëve të lartë të shtetit, si rasti Mediu?

Unë mendoj që të gjitha vendimmarrjet e mia i kam marrë me ndërgjegje të plotë dhe liri veprimi të plotë. Nuk mendoj, që kam bërë mbrojtjen e çështjes Mediu me një qëllim të caktuar imazhi publik dhe nuk më intereson imazhi i atyre njerëzve që nuk më njohin. Fare.

Për ju, më e vështirë ka qenë roli i prokurorit apo avokati i djallit?

Nuk jam dakord me mënyrën se si bëni pyetjen. Nuk kam mbrojtur djallin ashtu sikurse edhe si prokuror nuk kam luftuar djallin. Luftoja njeriun me veset e tij si prokuror dhe mbroja njeriun për gabimet e tija ose akuzat e gabuara të ngritura ndaj tij si avokat.

Cilat janë përparësitë tuaja ndaj kandidatit të Partisë Demokratike për Këshillin e Lartë të Drejtësisë?

Këtu duhet lënë mënjanë modestia. Një nga arsyet për të cilat kandidova është fakti që unë besoj që plotësoj më mirë në formë dhe përmbajtje kriteret për këtë vend.

A keni lobuar me deputetët e mazhorancës? A keni përkrahje të Lëvizjes Socialiste për Integrim apo edhe të Partisë Demokratike?

Lobimi si fjalë nuk më pëlqen. Natyrisht që kam kërkuar dhe kërkoj, qoftë edhe publikisht, votën e gjithë secilit anëtar të Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht cilit krah politik i përket. Unë nuk pretendoj se kam votat e subjekteve të veçanta, por, përsëris edhe njëherë se unë me të drejtën që më takon kërkoj votën e të gjithë deputetëve.

Pse KLD-ja nuk ka arritur deri më sot të vërë drejtësinë në nivelin e kërkuar nga publiku dhe nga ndërkombëtaret? Çfarë risie do të kishte vendosja juaj në KLD?

Shikoni, mrekullitë nuk ndodhin me një njeri, cilido qoftë ky, e jo më unë që nuk e gjej vetën tek të qenurit të jashtëzakonshëm si juristë. Mendoj që KLD-ja, sikurse përgjithësisht institucionet në këtë vend, vuajnë përgjithësisht nga profesionalizmi, nga korrektesa dhe njohja e plotë e detyrës dhe ligjit sikurse edhe nga përkushtimi. Natyrisht të gjithë këta faktorë të karakterit objektiv dhe subjektiv bashkarisht ndikojnë në rrethana të caktuara të kohës apo të vetë hapësirës ligjore me të cilët institucionet veprojnë. Gjykoj që kontributi im do të jetë përmirësues nëse më jepet kjo mundësi, të paktën në maksimumin e energjive të mia.

Si e gjykoni sistemin e drejtësisë në këto momente dhe çfarë vizioni keni për ndryshimin e perceptimit të publikut për drejtësinë?

Sistemi i drejtësisë gjykoj, veçanërisht ai penal, është një sistem që punon dhe produkton. Përsa i përket cilësisë së rezultatit gjykoj se ka vërejtje dhe veçanërisht sa i përket fajësive të pamerituara. Në opinionin publik dhe veçanërisht në media shqetësimi kryesor ka qenë pafajësia e pa merituar në raste të caktuara. Unë ndryshe nga ky opinioni i përgjithshëm gjykoj që fajësia e pamerituar është problematika e themelore e sistemit. Në gjykimin dhe përvojën time ka dhjetëra njerëz që rrinë në burg sepse nuk duhet të rrinë, por nuk kanë mundësi për një mbrojtje efektive të drejtë ligjore dhe nuk ka vesh të dëgjojnë hallet dhe shqetësimet e tyre. Në këtë aspekt ky do ishte këndvështrimi i parë, që do të bënte veprimin tim, nga gjyqësia e anëtarit të KLD-së.

Gjatë kësaj kohe, a keni pasur kontakte me zyrën e Presidencës për kandidaturën tuaj? Nëse po çfarë mesazhi keni marrë?

Jo, nuk kam pas kontakte me zyrën e Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›