PS-së vijojnë ti rrjedhin votat, 4 deputetë votojnë ndryshe
Partisë Socialiste vazhdojnë ti rrjedhin vota nga grupi i saj parlamentar. Pas marrjes së masës disiplinore nga grupi parlamentar socialist ndaj deputetit Kastriot Islami duke e përjashtuar nga PS, deputetët e majtë duket se nuk kanë më frikë që të votojnë. Në votimin e seancës së djeshme plenare, katër deputetët të Partisë Socialiste dolën kundër qëndrimit të grupit parlamentar duke abstenuar për Rezolutën e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Deputetët Erjon Braçe, Ditmir Bushati, Arben Isaraj dhe Andis Harasani abstenuan, ndërsa kolegët e tyre të majtë votuan pro rezolutës së përbashkët të Kuvendit. Rasti i djeshëm nuk është i pari që i ndodh grupit parlamentar socialist. Edhe në raste të tjera, deputetë të PS-së kanë votuar ndryshe nga grupi parlamentar duke treguar se tashmë deputetët nuk kanë frikë që të shprehin qëndrimin e tyre pavarësisht vendimit të partisë.
Rrjedhja më e madhe e votave që pësoi grupi parlamentar socialist ishte kandidatura e propozuar nga mazhoranca për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Grupi parlamentar socialist kishte marrë vendim që të votonte kundër kandidaturës së Mati Pepa, i cili u zgjodh me 85 vota pro dhe 43 kundër. 12 deputetë socialistë votuan në favor të kandidaturës së propozuar nga demokratët, pasi në sallë ishin vetëm 73 deputetë demokratë. Në dhjetor, PS mori vendimin për të zbatuar statusin e saj duke përjashtuar nga grupi parlamentar deputetin Islami për thyerje të vendimit të grupit për shkak të mungesës në procesin e votimit të Bujar Leskaj në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Pas mbledhjes, Sekretari i grupit parlamentar, Taulant Balla, do të sqaronte se qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e grupit socialist. Ashtu sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund ti binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik. Deputeti Kastriot Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga grupi parlamentar socialist,- tha Balla. Edhe pse rastet e rrjedhjes së votave brenda grupit parlamentar socialist po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ende PS nuk ka marrë ndonjë masë tjetër ndëshkimore ndaj deputetëve rebelë. / L.T