Viti 2008, leku zhvlerësim 4-30%
Monedha vendase ka humbur vlerë në shkëmbimet me të gjitha valutat kryesore, si dhe me arin. Humbja më e lartë me jenin, vlerësim ndaj paundit.
TIRANE- Gjatë vitit 2008 leku shqiptar duket se ka qenë më pak i kërkuar se një vit më parë në tregun vendas. Sipas statistikave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, ai është zhvlerësuar në shkëmbimet me të gjitha valutat kryesore, si dhe me metalet e çmuara, ndërkohë që vetëm paundi britanik është dobësuar në shkëmbimet me të.
Dollari
Një dollar shkëmbehej mesatarisht me 95.15 lekë të reja, sipas kursit zyrtar të këmbimit, të përcaktuar nga banka qendrore. Valuta amerikane vlente 88.91 lekë ditën e fundit të vitit të kaluar, ndërkohë që më 31 dhjetor të 2007-ës ajo shkëmbehej me 83.03 lekë. Kështu, leku rezulton i zhvlerësuar në masën 13 për qind nga dita e fundit e 2007-ës deri më 14 janar 2009. Ky rezultat pasqyron edhe forcimin e dollarit në tregjet ndërkombëtare.
Euro
Por, ndërkohë që euro ka humbur terren në tregjet e huaja valutore, në shkëmbim me lekun, përsëri ka qenë ky i fundit që ka pësuar "rrëshqitje". Një euro shkëmbehej me 120.91 lekë në fund të vitit 2007, 123.80 më 31 dhjetor 2008, ndërkohë që dje kursi zyrtar shënoi 125.98 lekë të reja. Pra, megjithëse euro ka humbur rreth 10% në tregjet ndërkombëtare, leku, pas një viti financiar, përsëri del me një zhvlerësim prej 4 përqindësh ndaj saj.
Paundi
Është e vetmja valutë, ndaj së cilës leku ka dalë me fitim. Nga 167.79 lekë më 31 dhjetor 2007, stërlina vlerësohej me 127.66 lekë në fund të vitit të kaluar, për t'u rritur disi këto dy javët e para të 2009-ës, në nivelin 138.42 lekë/paund. Leku rezulton të jetë vlerësuar ndaj saj me 17%. Monedha britanike ka dalë ndër më të humburat nga viti 2008, duke arritur të barazohet me euron
Jeni
Valuta japoneze mban rekordin në forcimin ndaj lekut. Monedha jonë kombëtare ka humbur plot 30% të vlerës në shkëmbimet me të. 100 jenë janë thyer me 73.98 lekë në fund të 2007-ës, 97.43 lekë në fund të 2008-ës, ndërsa dje kuotoheshin me 106.36 lekë
Franga
Një humbje të ndjeshme të vlerës leku e shënon edhe në shkëmbimet me frangën zvicerane. Në rast se për një frangë blihej me 72.91 lekë më 2007-ën, kjo arrinte në 82.97 më 2008-ën dhe 85.35 lekë ditën e djeshme. Një zhvlerësim ky, në masën 14% për lekun
Ari
Ndaj metalit të verdhë leku ka humbur në një vit 15% të vlerës, duke kaluar nga 66.784 lekë/onc, në 78.652,54 lekë ditën e djeshme.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)