“Viti 2010 do të jetë viti i rrënimit për shqiptarët”
18/12/2009 Kryesocialisti që nga Elbasani bën parashikimin e radhës për ekonominë
Kërkohet sërish hapja e kutive ose largimi i kryeministrit
Edi Rama është ndalur në Elbasan, në mitingun e zhvilluar në sheshin midis prefekturës dhe bashkisë, i ndjekur nga Valentina Leskaj, Gramoz Ruçi dhe deputetët e Elbasanit. Mes shiut simpatizantët, që s’kanë qenë të shumtë në numër, kanë mbështetur thirrjet për hapjen e kutive, por edhe kundërshtimin për rritjen e çmimit të energjisë dhe në shëndetësi. Rama ka deklaruar se kriza e paralajmëruar nga PS-ja tashmë është bërë fakt dhe viti 2010 do të jetë edhe më i zi. Ai është ndalur te shpërblimet dhe problemet e biznesit. “500 mijë shqiptarët e pasiguruar, që nuk gjejnë dot punë dhe nuk kanë mundësi, kanë marrë lajmin se për çdo trokitje te mjeku do të paguajnë 5 herë më shumë. Në vend që t’u gëzoheshin festave me çmime më të ulëta, biznesmenët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, presin me dyqanet bosh janarin e tmerrshëm, që i vë nën regjimin e TVSH-së dhe tatim-fitimit. Ja pse protestojmë ne. Viti 2010 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë, të majtë e të djathtë, të gjithë, veç atyre që jetojnë brenda oborrit të familjes në pushtet apo që kanë lidhje drejtpërdrejtë me të, do të paguajnë faturën e papërballueshme të politikës, të gënjeshtrave, të borxheve të pafre. Rënia e krizës ekonomike sapo ka filluar. Ekonomia shqiptare është paralizuar për shkak të mungesës së konkurrencës së ndershme, nga mungesa e tregut, nga mungesa e kushtetutshmërisë mbi pronat. Edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejtë me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, faturën e energjisë, të ushqimeve dhe ilaçeve. Me rritjen e çmimit të energjisë pensionistëve u është bërë zero shtesa e pensioneve të këtij viti. Hap kutitë ose largohu, Sali Berisha, sepse këtë krizë e solle ti dhe nuk duhet ta paguajë populli shqiptar! Numri i familjeve është shtuar. Hap kutitë ose largohu! Ne do të protestojmë deri në fund”, - përfundoi kryesocialisti Rama.