E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ: Do të përdorim garancinë e vendosur nga Banka Botërore

18/12/2009  OSSH reagon pas pranimit të pjesshëm të rritjes së çmimit të energjisë
Pronari i ri i OSSH-së, kompania çeke “CEZ”, reagon pas vendimit të ERE-së për rritjen me 13% të çmimit të energjisë për vitin e ardhshëm dhe jo 23%, siç kishte kërkuar ky operator. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp kompania e konsideron jo të drejtë vendimin e ERE-së, i cili, sipas saj, ka rritur më shumë çmimin për KESH-in dhe OST-në dhe më pak për OSSH-në. “Ne e kuptojmë që të gjitha palët në sektorin e energjisë në Shqipëri kanë nevojë për fonde për punët e tyre, mirëmbajtjen dhe investimet, por vendimin e ERE-së për rritjen dramatike në favor të KESH-it (26%) dhe OST-së (20%) dhe rritjen shumë të vogël për OSSH-në (7.1%) ne e gjejmë të pabalancuar”, - deklaron OSSH-ja.
Kompania thotë se e shikon këtë vendim si një sulm kundër investitorëve të huaj në vend. Sipas kompanisë, është prezantuar gjithë dokumentacioni dhe provat e nevojshme për të mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të energjisë, duke i ofruar ERE-së gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë. Studimi mbi humbjet, i përgatitur nga një auditor i pavarur i përzgjedhur nga vetë ERE dhe OSSH-ja, për habi nuk u pranua nga ERE. Për këtë arsye ne vlerësojmë se nuk ka një studim të saktë mbi këtë gjë dhe se vendimi i ERE-së mbi tarifat i datës 15.12.09 nuk është në përputhje me Deklaratën Rregullatore.
Sipas investitorit të huaj, OSSH-ja do të vazhdojë të ketë një rritje të lartë të borxhit (20 miliardë lekë) në vitin 2009 kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekë. Në mënyrë të pashmangshme kjo do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së. Sipas kompanisë çeke, bankat nuk do të jenë të gatshme të financojnë OSSH-në, pasi ajo nuk do të jetë në gjendje të paguajë kreditë për shkak të treguesve negativë. OSSH-ja deklaron se do të përdorë të gjitha hapat e mundshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të OSSH-së dhe aksionerëve të vet, duke ndërmarrë hapa ligjorë brenda vendit dhe jashtë vendit, si dhe përdorimin e garancisë së dhënë nga Banka Botërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›