E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata shuan shpresën e Aldo Bares: Duhet të rrijë në burg

18/12/2009  Ai dhe avokati i tij ripërsëritën kërkesën për ndryshimin e masës, u hodh poshtë
TIRANË- Aldo Bare i rikthehet sërish kërkesave për të lënë qelitë e burgut. Pak ditë pasi ndaj tij Gjykata e Apelit mori vendim për ta mbajtur në burg, ai kërkon në shkallën e parë ndryshimin e masës së sigurimit personal. Seanca e djeshme gjyqësore kishte si objekt shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Aldo Bare për largimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga drejtimi i procesit të tij. Por kjo kërkesë nuk u mor parasysh edhe pse avokati këmbënguli se i ishte referuar ligjit dhe se gjyqtarja është ndikuar nga deklarata e bëra në media për Baren. Por kërkesa për largimin e Hajdarit nuk u pranua pasi ajo u diskutua nga trupa gjyqësore. Më pas avokati parashtroi disa argumente të mbështetura në ligj dhe sipas të cilit afatet e paraburgimit të Bares kanë kohë që kanë kaluar. Avokati mbrojtës iu referua Kodit të Procedurës dhe e arsyetoi kërkesën për lirimin e Barës me faktin se 44-vjeçari është arrestuar tre vjet më parë në Turqi dhe gjatë kësaj kohe ai është mbajtur në paraburgim për llogari të drejtësisë shqiptare. Ky argument i sjell nga mbrojtja u kundërshtua nga prokurori dhe më pas u rrëzua nga gjykata. Sipas akuzës, afatet e paraburgimit për të pandehurin llogariten që nga momenti kur dosja ka ardhur për gjykim tek Krimet e Rënda e jo që kur ai është arrestuar në Turqi. Kështu duke bërë këtë llogari prokurori tha se afatet nuk kanë përfunduar ende dhe se i pandehuri duhet të qëndrojë në arrest burgu deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor. Gjyqtarja Fatmira Hajdari nuk ka pranuar arsyetimin e avokatit mbrojtës, i cili pretendon me çdo kusht të nxjerrë nga qelitë e paraburgimit klientin e tij të sapoekstraduar nga Turqia Aldo Bare. Aldo Bare akuzohet për një sërë vrasjesh, vendosje bombe dhe krijim e drejtim organizate kriminale. Ndodhet në qelitë e paraburgimit të 313-s. Paraqitet në çdo seancë gjyqësore dhe bën kërkesa të njëpasnjëshme për të fituar lirinë.
Dëshmitarët
Si i merrte paratë Bare dhe pastaj i vriste
Fatos Bibaj tregoi dje për vrasjen e vëllait të tij Luan Bibaj. Më datë 18 gusht 1998, në 6 të mëngjesit ka vajtur tek shtëpia e tij Enver Dondollaku, Ilir Stërgu, Enver Borici dhe Leonard Prifti. Ata i kanë kërkuar të shkonte me ta për të pirë një kafe pasi donin që të sqaroheshin për një problem të lindur mes tyre. “Ata e vranë vëllain tim sepse ai ishte shok me Artur Dajën dhe shoqërohej me të gjatë gjithë kohës. Vëllai im u vra me një plumb në kokë”, - tha dëshmitari. Bajram dhe Albert Taullua janë dy dëshmitarët e tjerë të procesit. Dëshmuan për vrasjen e Baki Taullaut nga Leonard Prifti. Meqënse Sajmir Taullau nuk pranoi të ishte pjesë e grupit, ata u bënë pre e sulmeve. Enver Dondollaku komunikonte në telefon me Baki Taullaun dhe i kërkonte lekë. Sajmir Taullau i ka dhënë në një rast 4 milionë lekë të vjetra Dondollakut. Dhe në një rast tjetër Alfred Taullau i ka dhënë 10 milionë lekë të vjetra Edmond Demirit, shokut të Aldo Bares. Paratë merreshin me pretendimin se do të mbyllej një herë e mirë konflikti me ta. Dondollaku i ka kërkuar edhe 5 mijë euro më vonë, por këto para nuk janë dhënë nga familja Taullau. Në këtë rast banda i vuri tritol karburantit të Baki Taullaut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›