Viti i ri shkollor Policia e Tiranes masa per mbarevajtjen

Policia e Tiranës merr masa për nisjen e vitit të ri shkollor. Të hënën prej orës 6:30 shërbimet e policisë rrugore dhe të rendit do të jenë në kryqëzimet kryesore dhe zonat e shkollave për të disiplinuar trafikun e mjeteve për shkak të ngarkesë që sjell dita e parë e shkollës. Shërbime të patrullave të përgjithshme do të patrullojnë në oraret e nisjes së mësimit dhe pushimeve pranë shkollave, ndërsa do mbahen në monitorim zonat dhe lokalet pranë shkollave për tregëtimin e alkoolit e duhanit, apo dhe për aktivitetet e shpërndarjes së drogave.
Të premten drejtuesit e Policisë së Tiranës, prefekti Keltis Kruja dhe përfaqësues të drejtorisë arsimore zhvilluan një takim për të analizuar dhe përmirësuar masat për sigurimin e rendit dhe qetësisë në shkolla, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale ndaj nxënësve dhe personelit mësimdhënës, si dhe krijimin e një dimensioni të ri në drejtim të marrëdhënieve polici-komunitet.