Viti i ri shkollor, Veliaj: Sot hapëm 400 institucione arsimore për të pritur nxënësit

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak me një falenderim për stafet e 400 institucioneve arsimore në Tiranë, të cilët mirëpritën 350 mijë nxënës të sistemit parauniversitar. Ai tha se Tirana ka bërë një revolucion në shkolla dhe kopshte, si në zona urbane, ashtu edhe në zona rurale.
“Kemi pasur një revolucion në Tiranë, sot kemi hapur 400 institucione arsimore, nga të cilat 187 shkolla, 87 në zona urbane dhe 100 në zona rurale. Po ashtu edhe rreth 102 kopshte dhe çerdhe dhe disa institucione që quhen qendra sociale apo qendra për persona me aftësi ndryshe. Për të gjitha këto 400 institucione, janë 400 skuadra që punojnë përtej bindjeve politike, njerëz që i kanë shërbyer qytetit gjithë jetën e tyre, kështu që u uroj shumë sukses, e sidomos atyre që filluan sot”, tha Veliaj.
Një falenderim pati dhe për anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët tha Veliaj, kanë qenë në gatishmëri që viti i ri shkollor të nisë sa më mbarë, duke u bërë urë komunikimi për zgjidhjen e çdo problematike.
“E çmoj faktin se një pjesë e madhe e anëtarëve të Këshillit Bashkiak kanë qenë sot pranë shkollave. Jeni gjithsesi një urë komunikimi pavarësisht bindjeve politike. Po jeni gjithsesi një urë komunikimi për një nevojë që mund të ketë shkolla, kopshti çerdhja, diçka e infrastrukturës. Po futemi nga stina e vapës te e shirave dhe gjithmonë mund të ketë problematika ku telefoni dhe zhdërvjelltësia e një anëtari të këshillit bashkiak, që është prezent, e bën dhe më të lehtë komunikimin tonë me këto institucione”, shtoi ai.
Një superlajm, Veliaj cilësoi vlerësimin nga Agjencia Europiane e Mjedisit, e cila e renditi Tiranën mes 10 kryeqyteteve Evropiane me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë. Kryebashkiaku tha se ky vlerësim shton motivimin për të rritur më tej gjelbërimin e Tiranës duke përmirësuar jetën e të gjithëve.
“Mund të kemi bindje të ndryshme, por pemët u bëjnë hije njësoj të gjithë. Fakti që sot jemi kryeqyteti në 10-shen e parë për mbulesën urbane me pemë, me gjelbërim dhe me hije, thjesht na shton motivimin për më shumë. Momenti më i mirë për të mbjellë pemë ishte dje, momenti i dytë më i mirë është sot dhe i treti më i mirë është nesër. Me këtë vlerësim kemi lënë pas Beogradin e Athinën”, tha ai.
Një përgjigje pati dhe për opozitën, të cilën në vend të sulmeve e ftoi që t’i bashkohet aksionit të mbjelljes së pemëve. “Është një vlerësim që na e jep BE, jo i bindjeve tona politike, kështu që në këtë sens do të doja që të gjithë bashkë pavarësisht bindjeve politike do i lëmë qytetit dhe fëmijëve të qytetit një pajë të jashtëzakonshme për gjeneratat që do të vijnë. Ato pemë ndoshta, nuk bëjnë hije sot, por nga pak përditë mbas 9 vitesh marrim këtë vlerësim dhe diçka që mbjellim këtë vit do e marrë vlerësimin në një dekadë tjetër”, tha më tej Veliaj.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije lajmin e transformimit në hapësira dinjitoze, të dy hapësirave sportive në kryeqytet. Veliaj tha se bëhet fjalë për stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
“Duam të ecim me projektin e 100 fushave sportive dhe kemi planifikuar që, dy investimet e radhës të jenë stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. Kemi një mundësi për të thënë se përtej bindjeve politike, të bëjmë edhe dy hapësira të reja model, ku ke qejf të shkosh, siç është bërë Arena Kombëtare. Unë jam me parimin se njeriu kur punon për qytetin, duhet të ketë qef të shkojë te stadiumi sepse thotë: Unë ngrita kartonin jeshil për këto investime”, tha Veliaj.
Mandej, Veliaj shtoi se Arena Kombëtare është një histori e jashtëzakonshme suksesi, si arkitekturë, si biznes dhe si ekonomi, ndërsa tha se Bashkia Tiranë ka për qëllim të bëjë të njëjtën gjë edhe te stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”.
“Ne do ta fillojmë një proces bashkëpunimi me projektin e rijetëzimit të stadiumit “Selman Stermasi” për të pasur një hapësirë ekonomike të ngjashme me atë që kemi te Arena Kombëtare dhe pastaj, me t’u përgatitur do të vazhdojmë dhe me pallatin e sporteve “Asllan Rusi”. Një pallat sportesh që nisi si hangar është totalisht i amortizuar, ndaj kemi një shans për të pasur dhe aty një investim serioz. Ashtu siç kemi pasur ndeshje ndërkombëtare te Arena Kombëtare, finalja e UEFA Conference League që do ishte e pamundur me stadiumin e vjetër që kishim”, u shpreh Veliaj.
/a.f/