E Shtunë, 31 Tetor 2026

Special Inter

Viti 2010 i takoi Interit. Nerazzurrët përmbyllën edicionin me pesë tituj, Serie A, Ligën e Kampionëve, Kupën, Superkupën e Italisë si dhe Kampionatin botëror të klubeve. Gjiganti milanez rishkroi historinë e tij duke lënë gjurmë të një suksesi të madh e të paarritur më parë. Nga Express më 02 janar 2011 në ora 10:29

Tifozët e vjetër të Interit e kujtonin nga e kaluara, ndërsa të rinjtë e panë me sytë e tyre suksesin e jashtëzakonshëm të ekipit në vitin 2010. Nerazzurrët përfunduan vitin duke fituar pesë tituj, rekord në histori të klubit dhe futbollit italian.

Thonë se dita e mirë shihet në mëngjes, dhe vërtet ishte ashtu. Të udhëhequr nga ‘Special One’, Jose Mourinho, Inter marshoi drejt rrugës e cila i çoi ata në shkallën më të lartë të futbollit evropian dhe atij botëror.

Sezoni që hyri në histori të gjigantit milanez gjeti gëzimin e tij të parë më 5 maj, kur Inter fitoi 1-0 ndaj Romës në Stadio Olimpico dhe ngriti trofeun e Kupës së Italisë. Golin e fitores e shënoi sulmuesi argjentinas, Diego Milito.

Titullin e tyre të dytë në vitin 2010, Nerazzurrët e siguruan më 16 maj. Ishte përsëri Milito ai që shënoi golin vendimtar në fitoren 1-0 në Siena që i solli ekipit titullin e pestë të njëpasnjëshëm në Serie A.

Scudetto mbeti në Giuseppe Meazza, derisa Inter përfundoi me 82 pikë, dy më tepër se Roma. Më 22 maj në Madrid, erdhi triumfi i tretë i Interit. Një natë speciale, një ekip special fitoi një trofe special.

Mjeshtëria e Mourinhos udhëhoqi Interin drejt fitores 2-0 ndaj Bayern Munichut në finale të Ligës së Kampionëve në stadiumin Santiago Bernabeu. Dhe kështu, Mourinho u bë vetëm trajneri i tretë në histori që fitoi trofeun më të çmueshëm të futbollit evropian të klubeve me dy skuadra të ndryshme.

Edhe një herë tjetër heroi i skuadrës milaneze ishte Milito, i cili shënoi të dy golat. Por, gëzimi u përcoll me lot, fillimisht nga ato të emocioneve të fuqishme si rezultat i suksesit historik të ekipit që kishte fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë nga viti 1965 dhe të tretin në histori të klubit, e më pas për largimin e njeriut më meritor që Inter arriti deri atje, Jose Mourinho.

Strategu portugez e ‘përmbylli misionin’ në Milano dhe kaloi në Real Madrid. Në vend të tij erdhi Rafael Benitez. Spanjolli e filloi mirë aventurën e tij në Inter duke fituar Superkupën e Italisë duke mposhtur Romën me rezultat 3-1. Ky ishte titulli i katërt i tyre në vitin 2010.

Por, më 27 gusht, Inter u mposht 2-0 nga Atletico Madrid në Superkupën e Evropës që nënkuptoi se ata nuk do të kenë rastin të fitojnë të gjitha garat. Megjithatë, Nerazzurrët kishin mundësinë të përmbyllin vitin me një tjetër trofe të rëndësisë së veçantë. Inter udhëtoi për në Abu Dhabi me një synim të qartë, të kthehen në Milano me titullin e kampionit të botës.

Qëllimi ishte përsëritja e asaj që arriti ‘Grande Inter’ më 1964 dhe 1965, që fitoi dy tituj interkontinentalë. Nerazzurrët me lehtësi e arritën objektivin duke mposhtur në gjysmëfinale kampionin e Koresë së Jugut, Seongham Ilhëa Chunma 3-0, ndërsa në finale me rezultat identik fituan përballë kampionit të Afrikës, skuadrës nga Kongo, TP Mazembe.

Mirëpo, ekipi nuk ka bërë fillim të mbarë të sezonit në Serie A dhe Ligën e Kampionëve. Pavarësisht triumfit në Kampionatin botëror të klubeve, presidenti Massimo Moratti vendosi ta shkarkojë Benitezin, i cili ishte ankuar për mungesë të përforcimeve në klub. Në vend të tij u emërua braziliani Leonardo. Por, e gjithë kjo është vetëm një hije e asaj që arriti ky ekip gjatë vitit 2010. E jashtëzakonshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›