Vizat, Basha: Shqipëria e kaloi provën

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha e ka cilësuar si mjaft të suksesshëm procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.
Duke analizuar ecurinë e procesit dy muaj pas marrjes së vendimit nga BE për heqjen e vizave për shqiptarët, ministri Basha theksoi se ecuria e mirë e procesit tregon se vendi ynë e kaloi provën përsa i përket detyrimeve që kishte ndaj Bashkimit Europian.
Sipas Bashës deri dje në mesnatë kanë përfituar nga lëvizja e lirë 120 mijë e 922 shqiptarë ndërsa 35 mijë e 580 shqiptarë janë rikthyer sërish në Shqipëri.
“Nga monitorimi i përditshëm dhe analiza e të dhënave rezulton që procesi ka pasur një ecuri normale. Nëse shohim edhe shifrat e refuzimit për shqiptarët kjo ka mbetur në shifrën 2 përqind pra 700 qytetarë. Ndërsa 3154 qytetarë figurojnë aktualisht në listën e zezë të Shengenit pasi kanë shkelur rregullat” theksoi Basha.
Gjithashtu sipas ministri Basha një shifër mjaft e rëndësishme për procesin e heqjes së vizave është edhe kërkesa për azil të shqiptarëve në hapësirën Shengen e cila sipas tij është zero.
Gjithashtu ministri Basha i bëri thirrje qytetarëve të mos shkelin afatet e caktuara për të qëndruar në hapësirën Shengen pasi do të penalizohen.