Vizat, Basha merr mbështetjen e Holandës

Hollanda do të japë mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Kjo deklaratë është dhënë gjatë takimeve që Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha zhvilloi në Hagë me Ministren e Brendshme e Hollandës Znj. Guusje Ter Horst dhe Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Drejtësinë Z. Joris Demmink. Gjatë takimit me homologen Ter Horst, Ministri Basha informoi mbi ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike, instalimin e sistemeve më të avancuara për kontrollin kufitar dhe analizën e informacionit kriminal si dhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Ndërsa Ministrja Ter Horst vlerësoi maksimalisht rezultatet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrave dhe kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave në të gjitha blloqet përkatëse, si për sigurinë e dokumentave, sigurinë e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë së Hollandës Z. Joris Demmink, pas takimit me Ministrin Basha, deklaroi se Shqipëria është edhe më e përparuar se shumë shtete anëtare të BE në lidhje me aspektet teknike të dokumentave të identitetit dhe sigurisë së kufijve.
"Kontrolli i kufinjve dhe pasaportat tuaja janë shumë më të avancuara se ato që kanë në përdorim shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, përsa i përket çështjeve teknike për pasaportat dhe sistemin e kontrollit të kufijve, ju jeni shumë para krahasuar me shumë vende të tjera. Ne do ta shohim propozimin e Komisionit Evropian në mënyrë të favorshme, pasi ne e mbështesim idenë, që heqja e vizave të bëhet efektive sa më shpejt të jetë e mundur,-u shpreh Z. Demmink.
Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha siguroi gjatë këtyre takimeve se ashtu si misioni i mëparshëm në Dhjetor 2009, edhe dy misionet e tjera që do të mbërrijnë nga Komisioni Evropian në Shkurt 2010 do të konstatojnë përmbushjn e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE.