E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Topallit, bastiset zyra e deputetit Balla

Intervista/ Deputeti socialist, Tauland Balla, sqaron rrethanat, në të cilat ka ndodhur bastisja e zyrës së tij

TIRANË - Dje në qytetin e Librazhdit, në ambientet e Bashkisë së këtij qyteti është bastisur zyra e deputetit socialist, Tauland Balla. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Balla sqaron arsyet e këtij akti, të cilin ai e konsideron politik dhe të urdhëruar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Deputeti socialist bën të ditur se kryeparlamentarja, pasi i hoqi sekretarin, kohët e fundit ka urdhëruar prefekturat që t'u heqë deputetëve të majtë dhe zyrat e tyre elektorale. Për këtë ngjarje, ai bën të ditur se i është drejtuar për hetime edhe organeve të prokurorisë.

Z. Balla çfarë ka ndodhur me zyrën e deputetit në qytetin e Librazhdit?

Që nga shtatori i vitit 2005, i zgjedhur deputet i Librazhdit unë kam përdorur si zyrë të takimeve me zgjedhësit një nga mjediset e nënprefekturës së Librazhdit.

Kjo zyrë funksiononte në çdo ditë të javës, ndërsa të premte dhe të shtunë unë zhvilloja takimet me ata zgjedhës, të cilët kishin halle dhe probleme për të konsultuar me përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe fillimit të punës së legjislaturës së re erdhi një urdhër nga Kuvendi, ku lirohej nga detyra sekretari i zyrës së deputetit.

Megjithëse pa pagesë, sekretari i zyrës sime vazhdoi punën në këtë zyrë dhe normalisht të premte dhe të shtunë ne prisnim në takime zgjedhësit. Por, përmes një urdhri të prerë të zonjës Jozefinë për zbatim nga Prefektura e Elbasanit, sot (dje) u hap me forcë zyra ime në Librazhd dhe u nxorën jashtë pajisjet, librat dhe dokumentet e punës.

Në një deklaratë për mediat, dje, keni bërë të ditur se kanë qenë punonjës të prefekturës që kanë ekzekutuar këtë bastisje. Mund të na sqaroni rrethanat sesi ka ndodhur kjo ngjarje?

Prej disa ditësh këta punonjës të prefekturës së Elbasanit tentuan të hapnin me forcë zyrën dhe për të ndërruar me forcë bravën e derës së kësaj zyre. Sekretari im i ndodhur nën presion nuk mundi të ndalte shqyerjen me dhunë të zyrës dhe nxjerrjen me forcë të pajisjeve dhe mjeteve të tjera të punës.

Ju kishin lajmëruar më parë për të lëshuar këto ambiente?

Unë isha informuar më parë përmes një shkrese dhe isha përgjigjur po përmes një shkrese, ku shpjegoja të drejtat e mia si deputet. Zonja Jozefina mund të na heqë ne sekretarët, por nuk mund të na heqë të drejtën e ushtrimit të mandatit. Zonja Topalli që na shkroi me aq dashuri për kohën e paraqitjes në Kuvend për të kryer betimin, paska përgatitur natën marrjen me forcë të zyrave tona si deputetë.

Ju në këtë deklaratë bëni të ditur se ky akt është kryer me urdhër të kryeparlamentares Topalli. Ku e bazoni këtë akuzë?

Personat që kanë kryer dhunimin e zyrës mbanin në dorë një urdhër të Kuvendit dhe një tjetër të Prefektit për marrjen me dhunë të zyrës së deputetit Taulant Balla. Gjithashtu, sipas tyre, kjo zyrë do t'i merret deputetit të Partisë Socialiste dhe do t'i jepet një deputeti të Partisë Demokratike.

Cila është përgjegjësia që ka kryetarja e Kuvendit për zyrat e deputetëve nëpër zona. Pra, ato jepen nga strukturat vendore me urdhër të kryetares apo është detyrim i ndonjë ligji të veçantë?

Pas ndryshimit të sistemit zgjedhor ende nuk ka një vendim të Kuvendit për funksionimin e zyrave të deputetëve. Në këtë kontekst në mungesë të një vendimi është krejt normale që ne të vazhdojmë punën në zyrat aktuale. Unë jam deputet i zgjedhur i Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësoj votuesit e Librazhdit, dhe është më se e detyrueshme nga Kuvendi sigurimi i një mjedisi për takimet me zgjedhësit në Librazhd.

Si keni vepruar, pasi jeni njohur me këtë ngjarje?

Përmes mbështetësve të mi unë kam tërhequr pajisjet, librat, kompjuterët dhe dokumentet e punës nga korridoret e nënprefekturës për t'i magazinuar në një ambient të përkohshëm.

I bëj thirrje zonjës Topalli dhe Sali Berishës të heqin dorë nga kjo luftë e ulët dhe hakmarrëse që ngjan sjelljen e Ahmadinexhadit në Iran kundër opozitës. Është më se turpshme që në një vend anëtar i NATO-s të dhunohet dhe të merret me forcë zyra e një deputeti.

Reagimi

Nënprefektja Qyra: Shkresa e Kuvendit prek të gjithë deputetët

LIBRAZHD - Nënprefektja në Librazhd, Mimoza Qyra, ka deklaruar dje për gazetën "Shekulli" se veprimi i ndërmarre është i bazuar në një shkresë që u është përcjellë nga Kuvendi. Sipas saj, në bazë të shkresës së Kuvendit, deputetë të majtë, por edhe të djathtë nuk do të kenë më zyra në nënprefektura.

Qyra shtoi se deputetët do të kenë vetëm një zyrë të vetme në prefekturë. "Nëse duan të marrin privatisht apo t'i presë bashkia, është e drejtë e tyre", - shtoi ajo.

Reagimi i nënprefektes në Librazhd erdhi menjëherë pas bastisjes së zyrës së deputetit socialist, Tauland Balla, i cili ndër të tjera, në një intervistë për gazetën "Shekulli" tha se gjatë natës është dhunuar zyra e tij për t'ia vënë në dispozicion një deputeti tjetër të djathtë. Por, Nënprefekjta Qyra ka theksuar se një vendim i tillë do të jetë për të gjithë deputetët, pas shkresës së mbërritur nga Kuvendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›