Vizat, Basha seancë dëgjimore në Bruksel

Në këtë seancë, ministri Basha do të paraqesë arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe proceset integruese të vendit.
Basha do të njohë drejtuesit dhe anëtarët e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian me arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit.
Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha, do të zhvillojë edhe një takim të veçantë me komisioneren për Cështjet e Brendshme të Komisionit Europian, znj. Cecilia Malstrom.
Vizita e Bashës në kryeqendrën e diplomacisë europiane vjen në një moment shumë deciziv për zhvillimet në raport me procesin e liberalizimit të vizave.
Në mes të muajit do të publikohet raporti i Komisionit Europian për monitorimin që i është bërë Shqipërisë në zbatimin e pikave dhe detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin.
Ky qëndrim do të mund të konkretizohet më pas më 2 qershor kur do të propozohet ose jo heqja e vizave për Shqipërinë.