E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat/ De Brouwer: Plotësoni kushtet

10/11/2009  Drejtori i përgjithshëm i KE-së për Imigracionin pritet nga zv.kryemisntiri Meta

“Të rritet bashkëpunimi gjyqësor-prokurori që të luftohen krimi i organizuar dhe trafiqet”

Koha për një propozim të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë varet nga shpejtësia me të cilën Shqipëria do të përmbushë standardet. Deklarata është bërë dje nga zv.drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian për Imigracionin dhe Azilin, Jean Louis De Brouwer, gjatë takimit që zhvilloi me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta. De Brouwer u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të ecin përpara, pa vonesa të mëtejshme, me zbatimin e çështjeve të mbetura dhe të sigurohen që përparimi i nevojshëm ti raportohet Komisionit Evropian deri në mes të nëntorit. Në mënyrë të veçantë ai veçoi që bashkëpunimi mes agjencive të zbatimit të ligjit mes gjyqësorit dhe prokurorisë duhet të rritet që krimi i organizuar dhe trafiqet të luftohen me efektivitet. “Komisioni do të marrë masa dhe do të paraqesë një propozim për liberalizimin e vizave sapo të shohë që Shqipëria i ka përmbushur standardet e mbetura”, - tha ai. Pasi vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për të përmbushur kushtet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, përfshirë këtu edhe miratimin e planveprimeve që kërkohen nga udhërrëfyesi, De Brouwer theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjeve që miratohen nga Kuvendi. “Kushtet e tjera që kanë mbetur për tu përmbushur dhe që duhet të adresohen sa më shpejt të jetë e mundur janë miratimi dhe zbatimi i strategjisë dhe planveprimit për luftimin e krimit financiar, projektligji i ri që rishikon ligjin e vitit 2004 për konfiskimin e aseteve kriminale dhe projektligji i ri mbi ndihmën ligjore reciproke ndërkombëtare. Gjithashtu rritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të kufijve dhe migracionit është shumë e rëndësishme”, - vijoi përfaqësuesi i lartë i KE-së. Ai vlerësoi shumë të rëndësishme sigurimin e eksesit të drejtpërdrejtë të sistemit të informacionit të inteligjencës kriminale MEMEX nga të gjitha njësitë rajonale të policisë dhe autoritete të tjera të zbatimit të ligjit. Nga ana tjetër zv.kryeministri Meta, pasi vlerësoi angazhimin e KE-së për ti dhënë mundësi vendit tonë që të hyjë në dialog intensiv për liberalizimin e vizave, shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë çdo gjë në përmbushje të detyrimeve të saj.

Meta në Bruksel

Ministri i Jashtëm Ilir Meta mbërriti dje në Bruksel për të diskutuar lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Zyrtarët shqiptarë kanë deklaruar se brenda muajit nëntor pala shqiptare do të përmbushë një pjesë të rëndësishme të detyrimeve që lidhen me këto procese, por në krahun tjetër opozita shprehet skeptike për arritjen e këtyre synimeve. Komisioni Europian nuk e ka përfshirë Shqipërinë në propozimin e tij për liberalizimin e vizave me disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkohë që aplikimi i saj për statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së nuk është shqyrtuar, ndonëse është paraqitur që në muajin prill të këtij viti.

Ambasadorët për bojkotin

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë kanë deklaruar dje se kriza politike në Shqipëri nuk shihet me sy të mirë dhe se ajo mund të ndikojë në rrugën e vendit për integrimin në BE. Po për këtë çështje ata kërkojnë zgjidhjen e përplasjes së opozitës me mazhorancën për rinumërimin e votave, si një çështje që palët duhet ta zgjidhin mes tyre, pa i drejtuar gishtin e akuzës dhe pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. “Shqipërisë i nevojiten reforma të menjëhershme, sidomos reforma në drejtësi për tu anëtarësuar në BE dhe për këtë në Parlament nevojiten si votat e maxhorancës, ashtu dhe të opozitës”, - deklaroi Marketa Filjakova, ambasadore e Çekisë në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›