E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, Coli rrëfen 3 vrasje misterioze

10/11/2009  I penduari i drejtësisë përmend emra që nuk janë në dosjen e bandës

TIRANË- Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle nuk do të kishin besuar as në ëndërr që Adriatik Coli, një prej personave të besuar të tyre të zbërthehej në këtë mënyrë. Dje në seancën e radhës, Coli ka nxjerrë të dhëna të reja për disa vrasje të kryera nga banda. Dëshmia është dhënë me dyer të mbyllura, pasi gjykata ende nuk ka vendosur ti jap publikut transparencën e duhur. Megjithatë, mësuam se ai ka dëshmuar për tre vrasje, të cilat sipas tij janë kryer nga banda e Lulzim Berishës. Bëhet fjalë për vrasjen e Ali Kërtushës, Dorjan Sema dhe Ledion Keçi. Këta emra kanë qenë të panjohur për mbrojtjen dhe për gjykatën, e cila tashmë ka një tablo të qartë për të gjitha veprat që kanë kryer pjesëtarët e organizatës. Menjëherë sapo janë përmendur këta emra ka ardhur edhe reagimi i mbrojtjes. Sipas avokatëve, të cilët kanë debatuar ashpër me Prokurorinë, këto persona nuk ndodhen në dosjen hetimore dhe ata nuk k anë qenë të njohur me materialin. Ndërsa vetë Coli është shprehur se ka folur në Prokurori për këto vrasje dhe materialet i janë vënë në dispozicion akuzës. “Unë kam dhënë shpjegime në Prokuroi edhe për këto vrasje dhe akuza është e njohur me materialin të cilin e disponon”, mësohet të ketë thënë në gjykatë Adriatik Coli. Edhe pse ai ka dhënë këtë deklarim, mbrojtja ka vepruar përsëri me debate. Sipas mbrojtjes, akuza duhet të japë shpjegime të hollësishme dhe nuk duhet të vazhdojë me seancën e pyetjeve deri në momentin e fundit të shpjegimeve. Nga ana e saj Prokuroria është shprehur se për këto raste është duke u hetuar dhe nuk ndodhen të regjistruara në dosje. Më tej Prokurori i çështjes shpjegoi se tre vrasjet e përmendura nga Coli kanë qenë pa autor dhe deri në përfundim të hetimit nuk mund të nxirrej asnjë e dhënë. Pas këtyre momenteve, mbrojtja kërkoi ndërprerjen e seancës gjyqësore për të vazhduar ditën e enjte me të tjera të dhëna. Adriatik Coli vazhdon të rrëfehet në gjykatë për ngjarjet që kanë ndodhur në organizatë gjatë kohës që ka qenë pranë tyre. Ndërkohë që ka përfunduar deklarimet e lira, Coli është duke iu përgjigjur pyetjeve të organit të Prokurorisë. Pas kësaj faze, Coli do ti përgjigjet edhe pyetjeve të mbrojtjes. Nga ana e saj mbrojtja disa herë ka lënë sallën e gjyqit duke deklaruar se gjithçka është e paramenduar dhe se Adriatik Coli tashmë i ka dhënë fund procesit. Me gjithë kundërshtitë e bëra, mbrojtja vazhdon të jetë prezente në seancën e 93-të gjyqësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›