E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euralius: Prokuroret e gjyqtaret super te korruptuar

09/11/2009  Raporti i plotë i evropianëve nxjerr në pah “grykësinë”. Jemi si Moldavia

Prokurorët dhe “deti”i korrupsionit të tyre

Elton Qyno

TIRANE- Prokurorët shqiptarë janë të zhytur në “detin” e korrupsionit. Konkluzioni ka ardhur nga një raport i ekspertëve të Misionit Evropian të Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë. Studimi që u publikua në muajin tetor të këtij viti nxori në dritë një sërë problemesh në radhët e prokurorëve, duke filluar nga niveli i ulët i rrogave, transparenca e deklarimit të pasurisë e deri tek zhytja e tyre në korrupsion, gjë e cila i radhit ata me prokurorët e shteteve si Moldavia, Azerbajxhani apo Armenia e të tjera. Në analizën e ekspertit të EURALIUS-it, Juris Avotins, i cili ka marrë të dhënat e prokurorëve të 38 shteteve evropiane, i bëhet një studim i mirëfilltë marrëdhënies pagë-transparencë, nga e cila arrihet të përcaktohet edhe niveli i korrupsionit. Nga analizimi i të gjitha të dhënave, rezulton se njerëzit e akuzës në Shqipëri marrin pagë të ulët, nuk kryejnë deklarimin e plotë të pasurisë, si dhe fshehin pjesën më të madhe të të ardhurave. Ky përfundim ka bërë që Shqipëria të përfshihet midis 5 vendeve ku niveli i korrupsionit në radhët e prokurorëve është i lartë. Futja e vendit tonë midis këtyre shteteve, vjen si pasojë e mungesës së transparencës që kanë prokurorët për të deklaruar pasuritë e tyre. Gjithmonë ata ankohen se nuk paguhen shumë mirë për punën që bëjnë, por nga verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse, rezulton se njerëzit e akuzës janë të “thekur” në para. E gjithë kjo pasuri e padeklaruar, e ka origjinën vetëm nga një drejtim, që në këtë rast është korrupsioni. Në llogaritjet e treguesve për prokurorët është vënë re se gjysma e vendeve evropiane i kanë pagat e prokurorëve të njëjta ose pothuajse me pagat e gjyqtarëve. Por vendet e tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, i kanë pagat e prokurorëve shumë të ulëta sesa gjyqtarët. Ky faktor ndikon shumë në përcaktimin e dy trajtave të kurbës. Në diagramë tregohet transparenca e rrezikut të korrupsionit (TI=5.0) ku paga e prokurorëve i korrespondon vlerës financiare 1200 euro në muaj. Megjithëse me këtë pagë prokurorët shqiptarë do të ishin shumë të kënaqur, sipas studimit përsëri ata do përfshiheshin në 5 vendet ku niveli i korrupsionit është i lartë. Nisur nga ky përfundim i hidhur, kërkohet planifikimi i rritjes së pagave të tyre, me qëllim rritjen e nivelit të transparencës si dhe dalja nga vija e rrezikut të korrupsionit. Studimi në fjalë është bërë me qëllim përgatitjen e argumenteve shtesë, për zbatimin e rekomandimin e EURALIUS-it për krijimin e një strategjie afatmesme për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

EURALIUS nxin Shqipërinë. Transparenca në nivele të frikshme, korrupsion pafund

Gjyqtarët në “hall” të madh,nuk justifikojnë dot pasuritë

Elton Qyno

TIRANE- Gjyqtarët, që janë shtresa kryesore për respektimin e ligjit dhe transparencës në vend, shkelin ligjin në shumë raste dhe kryejnë korrupsion pa ju dridhur qerpiku. Si prokurorët edhe këta, janë të zhytur midis 5 vendeve ku niveli i korrupsionit është tepër i lartë. Studimi i EURALIUS-it, i rendit gjykatësit shqiptarë si tepër të korruptuar dhe që nuk deklarojnë pasuritë e tyre. Kjo gjë tregon qartë se njerëzit që janë mandatuar nga shteti për të vënë drejtësi, e shkelin vetë atë me të dyja këmbët. Në raport ata renditen me vendet si Rumania, Ukraina e të tjera, ndërkohë që nuk mundin t’ia kalojnë fqinjëve tanë Maqedonas, Malit të Zi apo Serbisë. Ashtu si për prokurorët edhe për përcaktimin e transparencës së gjyqtarëve janë marrë të dhënat nga 38 shtet e Evropës. Nga studimi i këtyre të dhënave rezultoi se marrëdhënia pagë-transparencë tek trupa e gjykatësve është tepër e ulët. Si pasojë e kësaj edhe niveli i përcaktimit të korrupsionit është tepër i lartë. Gjyqtarët shqiptarë nuk janë transparentë dhe këtë e tregojnë më së mirë specialistët e verifikimit të pasurisë. Ata kanë paraqitur të dhëna se gjyqtarët deklarojnë vetëm, banesat ku jetojnë, një makinë si dhe pagën mujore që marrin nga ushtrimi i detyrës. Mirëpo kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi nga verifikimet është arritur të provohet se shumicën e të ardhura dhe pasurisë së tyre, ata nuk kanë mundur ta provojnë me fatura përkatëse. Nga kjo situatë kuptohet qartë, se gjyqtarët pasurinë e tyre e venë nëpërmjet aferave korruptive. Grafiku i hartuar për këtë shtresë arrin vijën e rrezikut të korrupsionit (T=5.0), ku paga e gjyqtarëve korrespondon me shumën financiare prej rreth 1400 euro në muaj. Kjo shifër është përfshirë në përmbledhjen e të gjithë treguesve të përdorur në këtë studim. Dallohet qartë se kurba e diagramës ka tre segmente me tipike në lidhje me pagat. Segmenti i parë mbulon transparencën e ulët dhe pagat e ulëta të gjyqtarëve, (në më pak se 1000 euro në muaj), ku çdo rritje e vogël e pagës çon në rritjen e ndjeshme të transparencës në vend. Ndërkohë që segmenti i tretë tregon kufirin e rrezikut të korrupsionit, ku në diagramë gjyqtarët shqiptarë tregon të zhytur thellë në të. Ky studim është bërë me qëllim përgatitjen e argumenteve shtesë, për zbatimin e rekomandimin e EURALIUS-it për krijimin e një strategjie afatmesme për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

ǒparashikon misioni evropian për pagat dhe sa janë ato realisht

Projekti i EURALIUS dhe plani i Prokurorisë së Përgjithshme

Specialistët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë hartuar planin buxhetor të këtij institucioni, ku prioriteti kryesor për financimet e vitit 2010 janë rritja e pagave të prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Përmirësimi i sistemit të pagave për njerëzit e akuzës dhe oficerët është parashikuar me një rritje mesatare prej 25 për qind, ku mësohet se pagat e prokurorëve të të gjitha niveleve të rriten mesatarisht 20 për qind dhe për oficerët e Policisë Gjyqësore, pagat të rriten mesatarisht 30 për qind. Planifikimi i rritjeve të rrogave ka ardhur në mbështetje me orientimet e Misionit Evropian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), i cili parashikon që minimumi i pagës së kënaqshme për një prokuror të Prokurorisë së rrethit gjyqësor të jetë në nivelin e 1500 eurove në muaj. Ndërkohë që tashmë paga mujore e një prokurori të nivelit të sipërcituar luhatet në shumën financiare prej 95.000 lekë. Mësohet se aktualisht Ministria e Financave ka parashikuar që të verë në dispozicion të arkës së Prokurorisë shumën financiare prej 1.402.000 mijë lekë të reja, shifër kjo që është e barabartë me kërkesat e organit të akuzës për vitin 2010.

Lidhja pagë-transparencë nxjerr nivelin e korrupsionit

Qëllimi i studimit të pagave dhe 3 treguesit kryesorë të tij

TIRANE- Studimi në fjalë është bërë me qëllim përgatitjen e argumenteve shtesë, për zbatimin e rekomandimin e EURALIUS-it për krijimin e një strategjie afatmesme për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas ekspertit të këtij studimi, lidhja e rritjes së transparencës me rritjen e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është provuar, kur të paktën tre tregues me bazë të ndryshme fizike tregojnë këtë marrëdhënie dhe kur zbatohet një tregues i drejtpërdrejtë që karakterizon transparencë individuale të specialistit të gjyqësorit. Për këtë arsye eksperti ka zbatuar një metodë me tregues, ku dy treguesit e rinj i janë shtuar “treguesit të transparencës së shtetit” të sipërpërmendur. Një nga këta tregues ka paraqitur transparencës e çdo profesioni, si tek gjyqtarët ashtu edhe tek prokurorët. Thelbi i këtij treguesi është pasqyrimi i numri të pasurive të padeklaruara ose të fshehura të profesionistëve në sektorin e gjyqësorit, kundrejt pagës që ata marrin. Në studim është përdorur edhe një tregues tjetër, i cili ka krahasuar prestigjin e profesionistëve në shoqëri. Mësohet se me anën e tij është analizuar duke krahasuar pagën e profesionit prestigjioz me pagën mesatare bruto.

Paga e kënaqshme për prokurorët

1405 euro në muaj

Paga e kënaqshme për gjyqtarët

1638 euro në muaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›