Shpërthim në hotel, plagosen gjashtë
Panik mes një grupi maturantësh kosovarë, pasi shpërthimi i një bojleri ka shembur pjesërisht hotelin ku ishin akomoduar në bregdet. Shkurte Matoshi dhe Sabah Fetahu, dy maturantë të shkollës së mesme mjekësore "Asllan Elezi" të Gjilanit në Kosovë, nuk e kishin menduar se kjo javë kënaqësie që do të kalonin në Shqipëri do t‘u ofronte çaste traumatike dhe do të përfundonte me shtrim në spital. Sabah Fetahu, i shtruar në spitalin e Durrësit së bashku me Shkurten, thotë se nuk ka kuptuar asgjë, vetëm kur e ka parë veten në spital dhe të gjakosur. "Isha në gjumë kur ka ndodhur. Jam gjallë dhe mirë, shyqyr Zotit. Jam 18 vjeç e gjysmë. Nuk e kam humbur vetëdijen", thotë ai, ndërsa nuk di të tregojë asgjë për atë që ndodhi. Pranon se ka dhembje, po "kokat shnosh". Pranë i ndodhet mjekja dhe mësuesja Venera Osmani, e cila thotë se në ekskursion kanë ardhur të gjitha maturat e shkollës së mesme mjekësore të Gjilanit, të cilat për efekt vendi qenë ndarë në dy komplekse turistike. Ajo pohon se ngjarja ka sjellë shqetësim të madh mes nxënësve dhe stafit që i shoqëron në këtë udhëtim, pavarësisht se dëmtimet në njerëz janë të vogla, ndërsa pronari i hotelit u ka thënë se shkak ka qenë shpërthimi i një bojleri nga presioni i ujit në tuba. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07.40, në hotelin "Elesio" që ndodhet te Pishat e Buta në Golem, është dëgjuar një shpërthim, që është shoqëruar me shembjen e mureve të brendshme të katit të tretë të këtij hoteli dhe dëmtimin e plotë të ballkonit që kishte lidhje me vendin e shpërthimit. Ngjarja ndodhi kur klientët e rinj të hotelit sapo qenë zgjuar për të nisur një ditë të re dhe shumë të tjerë vazhdonin të flinin të lodhur nga nata e kaluar deri vonë jashtë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur autoambulanca dhe shërbime të Policisë së Kavajës. Shembja, sipas ekspertëve kriminalistikë dhe antieksplozivë të mbërritur në vendngjarje nga Tirana, ka pasur lidhje me shpërthimin e një bojleri dushi që ndodhej në një nga tualetet e katit. Në hotelin ku ndodhi ngjarja ishin akomoduar 52 nxënës dhe vetëm 6 prej tyre u dëmtuan nga shembja. Dy prej maturantëve dhe pikërisht Sabahu me Shkurten që janë shtruar në spitalin e Durrësit, kanë pasur dëmtime më të dukshme, por pa pasoja për jetën. Vajza është dëmtuar më rëndë dhe sipas shefit të urgjencës në spitalin e Durrësit, Arjan Tivari, ajo i është nënshtruar një ndërhyrjeje nga mjeku ortoped dhe për disa orë ka qenë e shtruar në repartin e reanimacionit nën kujdes të plotë mjekësor. "Vajza ka frakturë në këmbën e djathtë dhe gërvishtje. Ka hyrë në sallë dhe nuk ka rrezik për jetën", ka thënë Tivari. Ndërkohë, katër maturantët e tjerë janë dërguar në spitalin e Kavajës, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore për gërvishtjet e pësuara, janë bashkuar me shokët. Pas ngjarjes, nxënësit janë larguar nga hoteli që u bë objekt hetimesh, për t‘u vendosur në një tjetër hotel aty pranë. Ndërkaq, në ambientet e policisë është shoqëruar pronari i hotelit, Kujtim Roçi, dhe i gjithë personeli për të dhënë deklarimet përkatëse mbi rrethanat e ngjarjes. Burime nga Policia e Kavajës bënë të ditur se pritet të bëhet sqarimi i rrethanave dhe nxjerrja e përgjegjësive konkrete për të marrë masa ndalimi ndaj personave përgjegjës që do të procedohen për këtë ngjarje të rëndë, që për fat u mbyll pa viktima. Ngjarja ka shkaktuar efekte të rënda psikologjike te nxënësit e shkollës së mesme të ardhur nga Kosova për disa ditë pushime argëtuese dhe njohëse në shtetin amë, ndërsa ekspertët vazhdojnë punën për të përcaktuar shkakun e ngjarjes dhe përgjegjësit e saj. Fuqia shpërthyese e bojlerit ka qenë e tillë sa ka shembur pjesërisht muret e hotelit dhe kjo ka bërë që hetimet të drejtohen edhe mbi cilësinë e ndërtimit, qëndrueshmërinë e tij.
Precedentët
Gjatë dy viteve të kaluara, kjo periudhë është karakterizuar nga të tjera ngjarje që kanë përfshirë gjimnazistët kosovarë, të cilët vijnë për të kaluar disa ditë të organizuar nga shkollat përkatëse në Shqipëri. Akomodimi në hotelet e ndryshme buzë detit në Durrës, vitet e kaluara është shoqëruar me helmim kolektiv dhe trauma kolektive mes tyre. Shkak ka qenë, sipas hetimeve, jo vetëm cilësia e ushqimit, por edhe konsumimi i pijeve të shumta alkoolike të shoqëruara edhe me marijuanë
Precedentët
Gjatë dy viteve të kaluara, kjo periudhë është karakterizuar nga të tjera ngjarje që kanë përfshirë gjimnazistët kosovarë, të cilët vijnë për të kaluar disa ditë të organizuar nga shkollat përkatëse në Shqipëri. Akomodimi në hotelet e ndryshme buzë detit në Durrës, vitet e kaluara është shoqëruar me helmim kolektiv dhe trauma kolektive mes tyre. Shkak ka qenë, sipas hetimeve, jo vetëm cilësia e ushqimit, por edhe konsumimi i pijeve të shumta alkoolike të shoqëruara edhe me marijuanë