Kakavijë, goditet grupi i trafikut të klandestinëve

Dy vëllezër nga Vlora janë shpallur në kërkim nga policia. Merrnin 800-2000 euro për të kaluar njerëz në Greqi
KAKAVIJË- Goditet një grup i trafikut të klandestinëve nga Shqipëria drejt Greqisë. Dy vëllezër nga Vlora shpallen në kërkim, ndërsa policitë kufitare të dy shteteve, përkatësisht ajo e Kakavijës dhe e Janinës janë duke krehur zonat për të bërë të mundur ndalimin e tyre. 800 - 2000 euro paguanin personat, në mënyrë që të kalonin ilegalisht drejt Greqisë.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se informacionet e marra në rrugë operative për lëvizjen e disa klandestinëve dhe hetimet e mëtejshme kanë qenë ato që kanë hedhur dritë për këtë rrjet të trafikut.
Agjentët kanë marrë informacion në rrugë operative se disa shtetas ishin duke udhëtuar në drejtim të kufirit të gjelbër në afërsi të Piramidës 27 dhe 28 të komunës Dropulli i Sipërm në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, duke u ndihmuar nga dy shtetas, të cilët do të përfitonin shuma të konsiderueshme në euro.
Operacioni i koduar "Kapelja" ka startuar menjëherë dhe rreth mesnatës, në afërsi të fshatit Llongo janë bllokuar dhe shoqëruar 6 persona nga rrethet Fier, Vlorë e Berat, që po përpiqeshin të kalonin ilegalisht drejt Greqisë.
Informacionet e grumbulluara prej disa muajsh për një rrjet të trafikut të klandestinëve dhe hetimet e mëtejshme kanë hedhur dritë mbi organizatorët e tij. Policia deklaron se ata janë dy vëllezër nga Vlora, të dhënat personale të të cilëve nuk bëhen të ditura për shkaqe hetimi, ndërkohë personat rekrutoheshin në lagjen "Çole" të qytetit të Vlorës, në lokalet e zonës së njohur si "Kapelja".
Po në këtë vend kryheshin edhe pazaret për shumat që duhet të paguanin të interesuarit për të kaluar drejt Greqisë, që varionin nga 800 deri në 2000 euro për person. "Këta dy shtetas i rekrutonin në lokal shtetasit që donin të kalonin kufirin dhe kundrejt pagesave i shoqëronin deri në destinacion nëpërmjet kufirit të gjelbërt me shtetin grek", bën të ditur policia.
Ndërkaq, gjatë operacionit të kryer ku u bllokuan klandestinët, të dy vëllezërit kanë mundur t'i shpëtojnë kapjes së policisë pasi kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar në teritorin grek. Ndaj tyre është ngritur akuza e "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit".