E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Fyle: S'do ketë vonesa por zgjidhni krizën

Komisioneri europian për zgjerimin Stefan Fyle ka thënë sot se shpreson që Shqipëria ta zgjidhë krizën politike para se Parlamenti Europian të realizojë bilancin përfundimtar për liberalizimin e vizave.
Duke konfirmuar se procesi i heqjes së vizave nuk do të ketë vonesa, komisioneri i BE-së për Zgjerimin Stefan Fyle , ka deklaruar ndërsa po fliste në konferencën mbi përshpejtimin e integrimit të Ballkanit në BE, organizuar nga EU Observer, se Shqipëria dhe Bosnja kanë përmbushur pjesën dërrmuese të kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Sipas Komisionerit Fyle, çështjet e tjera, më saktë dy apo tre prej tyre, janë të menaxhueshme nga të du vendet brenda një kohe të shkurtër.
"Komisioni monitorues mendohet se do të jetë i pranishëm në të dyja këto vende diku nga Korriku i këtij viti, kështu që vendimi do të merret më pas. Por duke folur me përfaqësuesit e vendeve anëtare dhe të Parlamentit Europian kam ndjenjën, besimin se pasi komisioni monitories do të konfirmojë se janë përmbushuur të gjitha kushtet, i gjithë udhërrëfyesi është implementuar në masën 100 %, askush nuk do kërkojë të vonojë këtë çështje një orë apo një ditë më tepër", ka thënë Komisioneri Fyle.
Ai theksoi se është i angazhuar në arritjen e një formule të zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri.
"Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje, për të gjetur një kompromis nga të dyja palët, përpara se PE dhe këshilli të marrin vendimin mbi heqjen e vizave", tha Fyle.
"Shpresoj që nuk do të na duhet të bezdisemi nga fakti se dikush mund të bëjë një lidhje midis politikës në një vend dhe vendimit për heqjen e vizave", ka apeluar komisioneri i BE-së për Zgjerimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›