E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Meta: Brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv

Tiranë, 13 nëntor NOA - Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Bukuresht, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, kryesoi Delegacionin e Shqipërisë në Samitin e Kryetarëve të Qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore.

Gjatë punimeve të këtij Samiti u miratuan disa dokumente të rëndësishme si, Plani i Veprimit për vitet 2010-2012, Deklarata e 20 vjetorit të Krijimit të NEQ-it si dhe Dokumenti politik i Samitit.

Në Dokumentin final të Samitit, të gjithë kryetarët e qeverive, mes tjerash, mbështetën angazhimin e Komisionit Evropian për të liberalizuar regjimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti, u theksua nevoja që të merret sa më parë vendimi për të liberalizuar vizat me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. 

Në fjalën e tij në këtë Samit, ministri i Jashtëm, Ilir Meta vlerësoi NEQ si një forum shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit konkret, nëpërmjet projekteve në fusha të ndryshme.

Duke nënvizuar integrimin evropian si sfidën më të rëndësishme të kësaj nisme, Meta theksoi se vokacioni evropian i Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet i pandryshueshëm dhe si rrjedhojë, integrimi në BE është prioritet madhor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar.  

Në këtë kuadër, ai informoi Samitin lidhur me stadin aktual të proçesit integrues të Shqipërisë në BE, duke u ndalur në aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e kërkesave për liberalizimin e vizave me BE-në.  

Brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, ç`ka do të çlironte energji pozitive dhe do të krijonte një perspektivë realisht të prekshme për secilin prej vendeve tona tha Meta lidhur me liberalizimin e vizave.  

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›