E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, ekspertë të BE vëzhgojnë në terren

Ekspertë të Komisionit Europian kanë nisur sot në Shqipëri një mision faktmbledhës për plotësimin e kushteve teknike për liberalizmin e vizave. Ky është misioni i fundit i vëzhguesve europianë në terren, para se BE të japë një vlerësim zyrtar nëse Shqipëria, ashtu si Bosnja, do të marrë ok për liberalizmin e vizave. Kontaktet e tyre, që janë duke u zhvilluar jashtë vëmendjes së medias, përfshijnë jo vetëm autoritetet vendore, por dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që janë akredituar në Shqipëri. Siç dhe kanë artikuluar disa herë përfaqësues të rëndësishëm nga BE, pjesa e paplotësuar ende nga Shqipëria ka vetëm natyrë teknike, e pa ndikuar nga situata e brendshme politike ne vend. Gjithashtu pritet dhe hapja e bisedimeve mes përfaqësuesve të dy partive kryesore politike, PD e PS. Si një reflektim ndaj rezolutës së Parlamentit Europian të javës së kaluar, klasa politike do të tentojë të kapërcejë ngërçin prej një viti në marrëdhëniet mes tyre. PD ka caktuar si negociator të saj kryetarin e grupit parlamnetar, Astrit Patozi dhe socialistët kanë caktuar si negociator kreun e grupit parlamentar Gramoz Ruçi. Objekti kryesor në bisedimet e pritshme PD e PS është ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet parlamentare të qershorit të kaluar. Kjo sipas vëzhguesve do të shoqërohet dhe me bashkëpunimin për diskutimin e realizmin e reformës zgjedhore, kur ka mbetur më pak se një vit nga zhvillimi i votimeve lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›