E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat rikthejnë debatin për bojkotin në PS

Beqja: S’e shoh të nevojshme praninë tonë. Harasani: Nëse nuk vijnë, mazhoranca të shtyjë votimin

Propozimi i fundit i mazhorancës për të votuar në seancën e ardhshme parlamentare risjell brenda selisë rozë debatin për bojkotin mes mbështetësve të vijës zyrtare të kësaj partie dhe Lëvizjes për Mendimin Ndryshe.

Njëzëri anëtarët e LMN-së, sapo janë vënë në dijeni për votimin e një rezolute që shpreh qëndrimin e Parlamentit në lidhje me liberalizimin e vizave, janë shprehur se do të jenë në këtë seancë, por nga ana tjetër lidershipi socialist është i rezervuar të pohojë nëse do të jetë në seancë, duke ia deleguar këtë qëndrim mbledhjes së grupit parlamentar në prag të kësaj seance. Deputeti Ilir Beqja tha dhe në një prononcim për gazetën “Shqip” se është ende herët të merret një vendim kur seanca është të enjten e ardhshme. Ndërkohë, deputeti Harasani vërejti se nëse grupi parlamentar socialist nuk do të jetë i pranishëm, atëherë do i kërkojë mazhorancës që ta shtyjë votimin për në datën 18 mars, kur pritet diskutimi i dy nismave ligjore të paraqitura nga selia rozë.

Beqja

Deputeti socialist, Ilir Beqja, sqaroi dje se nuk e sheh të nevojshme praninë e grupit parlamentar socialist në Parlament për rezolutën e vizave, pasi, sipas tij, ajo as nuk e shpejton dhe as nuk e pengon këtë proces. Sipas tij, edhe disa prej deputetëve që janë nxituar të shprehen për këtë çështje, duhet më parë që të presin mbledhjen e grupit parlamentar.

“Kjo i takon si vendimmarrje grupit parlamentar. Rezoluta është bërë e ditur vetën ditën e premte, sot (dje) është e shtunë, ka ende kohë deri ditën e enjte, por unë s’e shoh të nevojshme praninë e grupit parlamentar socialist në këtë seancë, pasi rezolutë është. As e përshpejton, as e pengon procesin e liberalizimit të vizave. Problemi qëndron te kjo mazhorancë e cila nuk e ka kuptuar akoma se ku qëndron problemi i krizës. Nga ana tjetër nuk pajtohem as me disa kolegë që rendin të shprehen në gazeta. Ka ende kohë deri të enjten”, tha ai.

Megjithëse një tentativë të tillë mazhoranca e provoi edhe në seancën e kësaj të enjte, kur u fut në rendin e ditës për votim ligji për ngritjen e gjykatave administrative, ligj që kërkon 84 vota pro për t’u votuar. Por nga ana tjetër, selia rozë është shprehur se pa u votuar dy nismat e saj, nuk do të marrë pjesë në asnjë votim të ndonjë ligji apo veprimtarie tjetër të Kuvendit.

Harasani

Deputeti i selisë rozë, pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Andis Harasani, në një prononcim për gazetën “Shqip” tha se PS duhet të jetë e pranishme në Kuvend për të votuar një rezolutë që lidhet me një prej pritshmërive më të rëndësishme siç është liberalizimi i vizave me të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Duke konfirmuar prezencën e deputetëve të LMN-së në seancë, Harasani tha se nëse nuk do të jetë pjesa tjetër e grupit parlamentar, do i propozojnë mazhorancës që ta shtyjë votimin për në datën 18 mars. “Absolutisht që do të shkojmë në këtë seancë. E madje nëse PS nuk vjen, do i propozojmë mazhorancës për ta shtyrë votimin në seancën e ardhshme”, tha Harasani. Prezencën në seancë e ka pranuar edhe deputeti tjetër, Kastriot Islami.

“Personalisht nuk kam asnjë hezitim për të marrë pjesë aktive në seancën për miratimin e kësaj rezolute. Madje do të marr pjesë edhe në punën e komisioneve përkatëse për të dhënë ndihmesën time maksimale, pavarësisht nuk jam anëtar me të drejtë vote, por në bazë të rregullores kam të drejtën e pjesëmarrjes”, tha ai.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›