Katër vrasjet që dënuan përjetë Valmir Hoxhën
Valmir Hoxha, i dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje, ishte kthyer në tmerr për qytetin e Shkodrës, deri në vitin 2003, kur u arrestua nga forcat speciale. Pikërisht më datë 25 janar 2003, Forcat Speciale të Ministrisë së Rendit Publik, bazuar në informacionet e grumbulluara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, kanë organizuar një operacion për kapjen e personit shumë të kërkuar, Valmir Sali Hoxha, në atë kohë 28 vjeç, banues në lagjen “Guerile” Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale të vrasjes, plagosjes, grabitjes dhe përdhunimit. Në atë kohë, ky person strehohej në banesën e Hilmi Seitit, 42 vjeç nga fshati Repisht. Rreth orës 05:30 të datës së lartpërmendur, Forcat Speciale kanë bërë rrethimin e banesës, ku gjendej Valmir Hoxha dhe i kanë bërë atij thirrje për t’u dorëzuar. Në këto momente, Hilmi Seiti ka dalë nga dera e përparme e banesës duke qëlluar me një pushkë tip 20-she kundër forcave të policisë dhe në të njëjtën kohë nga dera e pasme e banesës ka dalë Valmir Hoxha, edhe ky duke hapur zjarr me synimin për të dalë nga rrethimi i policisë. Me gjithë thirrjet e vazhdueshme për t’u dorëzuar, të dy personat kanë vazhduar të qëllojnë me armë. Në këto kushte, forcat e policisë janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe për pasojë ka mbetur i plagosur Hilmi Seiti, i cili është tërhequr duke arritur të futej në një tjetër shtëpi aty pranë. Ndërsa Valmir Hoxha, pas pak kohe është dorëzuar. Më pas, Forcat Speciale kanë hyrë në banesën ku ndodhej Hilmi Seiti dhe e kanë gjetur atë në gjendje të rëndë. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve të Forcave Speciale, si rezultat i plagëve të marra, Hilmi Seiti ka gjetur vdekjen pak kohë më vonë. Valmir Hoxha është dënuar nga Gjykata me burgim të përjetshëm për katër vepra penale. Sipas dosjes penale, ai është dënuar pasi më datë 12 prill 1998, në fshatin Repisht të Malësisë së Madhe, ka vrarë shtetasin Isa Estref Hoxha, ndërkohë që më datë 29 dhjetor 1998, po në fshatin Repisht, ka vrarë shtetasin Berhan Mustafë Hoxha. Gjithashtu, më 22 dhjetor 1999, në lagjen “Guerile” në Shkodër, ka vrarë Ejll Kolën dhe ka plagosur shtetasin Paulin Kola. Ndërsa më 03 korrik 2001, në lagjen “Guerile” ka plagosur Albert Kolën. Ky person dyshohet edhe për dy vrasje të tjera, si dhe grabitje e përdhunime.
#