E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizatimi i panjohur i Normales së Elbasanit

Ai ishte vetëm 19 vjeç kur nisi të studiojë në Normalen e Elbasanit. Ishte viti 1924 kur i riu Abdurrahim Buza vijon pikërisht aty studimet e mesme. Atëherë kishin kaluar 15 vite nga çelja e së parës shkollë të mesme shqipe. Ishin të shumtë nxënësit që vinin prej Kosovës e Çamërisë. Abdurrahim Buza vinte prej Gjakovës. Kishte mbetur jetim kur ishte vetëm 8 vjeç dhe ishte patrioti Bajram Curri që u kujdes për shkollimin e tij. Shumë i dha atij Normalja e Elbasanit, shumë kujtime madje. Një prej tyre është edhe një vizatim i vitit 1924. Godina e shkollës ku kreu studimet është skicuar prej dorës së të riut, i cili asokohe ishte ende në hapat e parë në pikturë. Një skicë e panjohur e Abdurrahim Buzës, të cilën i biri, piktori Kujtim Buza, e ka nxjerrë prej arkivit të familjes si një dhuratë të çmuar, për ta pasqyruar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Normales së Elbasanit. Ky vizatim i thjeshtë, punuar me shumë dashuri i shkollës Normale të Elbasanit, është nga të parët vizatime të punuar nga Abdurrahim Buza. Në të shihet talenti i spikatur, saktësia dhe skrupoloziteti i këtij artisti që më vonë shpërtheu në 50 vjet krijimtari të pasur dhe të vlerësuar. Pasi kreu katër klasë të shkollës fillore në vendin e tij, Abdurrahim Buza vitin e pestë e përfundon në Shkodër. Pikërisht gjatë viteve të studimit në këtë shkollë të mesme ai i kushtohet më tej dhe më seriozisht pikturës, sikur ta dinte se vetëm ajo do të ishte e ardhmja e tij. Falë talentit të lindur, por edhe ndihmës së dhënë nga mësuesi i tij i vizatimit, piktorit të njohur Andrea Kushi, në vitin 1928, kohë kur përfundon shkollën e mesme, Buza fiton të drejtën e studimit në Akademinë e Artit në Torino, për pikturë monumentale e dekorative. Vizatimet dhe pikturat e realizuara në këto vite, nën drejtimin e mësuesit të vizatimit, Andrea Kushi, piktor i shquar dhe mësues shembullor, kanë qenë ato që e futën në rrugën drejt artit. Shkolla Normale e Elbasanit ka qenë vatër e mësimit dhe e edukimit të talenteve edhe në lëmin e pikturës, ashtu edhe në atë të muzikës, sikundër edhe për Abdurrahim Buzën, që së bashku me Andrea Kushin dhe Odhise Paskalin hapën të parën shkollë të vizatimit në Tiranë, më tej Liceun Artistik nga dolën edhe shumë talente në lëmin e pikturës, skulpturës dhe arteve të aplikuara. Mësuesit e kësaj shkolle, Xhuvani, Gashi, Kushi, Shuteriqi etj., kanë qenë për të edukatorë dhe atdhetarë të shquar që formuan dhe përgatitën intelektualë të të gjitha fushave të arsimit, kulturës dhe artit. Ky vizatim i thjeshtë, i cili publikohet për herë të parë në gazetën "Shqip", vjen si një dëshmi për të dhënat e Abdurrahimit të ri, që siç ka thënë Vilson Kilica për veprat e tij, ndihet "optimizmi, pastërtia, fryma djaloshare dhe shija e lartë artistike". Pas përfundimit të studimeve akademike në Itali, ndonëse i propozohet për të qëndruar si pedagog në katedrën monumentale, kthehet në Shqipëri, ku emërohet mësues vizatimi në shkollën Teknike dhe Gjimnazin e Tiranës. Më 1947 u punësua në liceun artistik "Jordan Misja", ku punon si pedagog i vizatimit dhe më vonë nëndrejtor.

Edhe pse ndikimi i impresionizmit ndjehet në veprat e tij, nën presionin e realizmit politik që e impononte ideologjia e kohës, Buza e gjeti zërin e tij unik në artin shqiptar. Pikturat e para janë të inspiruara nga qëndrimi i tij në Pogradec. Më vonë ai e thjeshton teknikën e tij por e shndërron artin në simbolikë të lartë. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova, dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i tij. Mesazhi filozofik kombëtar, ideali për liri, bashkim kombëtar, jeta, puna dhe vizioni për të ardhmen, mishërohen në të gjithë veprën e tij. Ngjyrat e impresionizmit ndikojnë në të deri në fund. Me portretet dhe tablotë e viteve 1933-1936, solli në pikturën shqiptare elementë të rinj të impresionizmit dhe postimpresionizmit, ku ngjyra mori vlera të vërteta emocionale. Ai pikturoi "Lekën", të parën nudo të një shqiptareje në Shqipëri. Prej veprës së Abdurrahim Buzës sot ruhen 500 tablo të realizuar në vaj dhe 10000 vizatime. Për veprën e tij, poeti dhe shkrimtari Dritëro Agolli ka thënë se ajo përshkohet nga mendimi i ekzistencës kombëtare, i asaj kocke të fortë që nuk thyhet, sado të epet. Në këtë kockë është edhe lindja, edhe vdekja, edhe puna, edhe lufta, edhe vallja, edhe dasma... "Origjinaliteti kombëtar dhe karakteri individual i krijimtarisë së tij, që shprehet përmes një stili të dallueshëm nga të tjerët, plot muzikalitet, variacione temash e idesh, plot ngjyra në harmoni, e bën veprën e Buzës një koleksion të çmuar në vlerat e mëdha të artit tonë kombëtar", vijon ai. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ruhen 59 punime të piktorit. Vepra të tjera ndodhen në muzeun "Buza" në Tiranë. Abdurrahim Buza u nderua me dekoratat "Mësues i Popullit", "Piktor i Merituar" dhe "Piktor i Popullit". Vdiq në Tiranë më 7 nëntor 1986, duke punuar mbi tablonë "Besa e maleve shqiptare", e cila mbeti e papërfunduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›