E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizatimi si akt mbijetese artistike

Anastas Kostandini – TASO  

Reagimi im i parë artistik ka qenë vizatimi. Me një laps të vogël të mprehur keq, skicova mbi letrën e zverdhur të një fletoreje vizatimi të vitit 1965. Ishin frutat plot ngjyra e forma, që babai im shiste në dyqanin e tij mes qytetit. Natyra të qeta mbi beze të pikturuara prej dizenjatorit të qytetit të vogël, zbukuronin dyqanin. Ato shërbenin si shembuj nxitës për mua. Që atëherë, babai im e kuptoi se djali i vogël i tij do të bëhej tjetër gjë. Lapsat me ngjyra dhe akuarelet bënë që të imitoj më mirë format e ngjyrat e mollëve, dardhave, shalqinëve dhe shishet shumëngjyrëshe të verërave dhe likernave. Ato ishin modelet e mia të para.

Me bojë kine të huazuar prej dizenjatorit të parrullave të qytetit, fillova të bëj vizatime më të mëdha dhe të studiuara e plot fantazi me figurën e Skënderbeut. Kjo periudhë përkoi me 500-vjetorin e vdekjes së Kryeheroit tonë dhe në pragun e fillimit të Liceut Artistik në Tiranë. Ishte pjesa e pasme e parrullave dhe reklamave prej kartoni, që shokët e mi shkulnin prej mureve për të mi sjellë mua. Mbi to kam vizatuar dhe imituar gravurat historike si dhe skulpturat për Skënderbeun.

Liceu Artistik zbuloi plotësisht vizatuesin tek unë. Të vizatuarit pas natyrës ishte kërkesa kryesore për një nxënës. Mësimi për të zotëruar dhe portretin, figurën njerëzore si përmes modeleve të gjalla, ashtu dhe statujave të kopjuara klasike, mbetej themeli i edukimit figurativ. Dritëhija, linja, sfumatura, vizatimi me ngjyrë apo ai grafik dhe skulptura mësoheshin edhe përmes rivalitetit mes shokëve të liceut. Dikush mbante kampionin për vizatimin me tush e penë të portreteve. Kjo më bënte të garoja me këdo për të përsosur mjeshtërinë veçanërisht të të vizatuarit bukur dhe plot ndjenjë.

Ishte më praktike dhe e mundshme që me lapsin të takoje çdo dëshirë figurative. Kopjimi i vizatimit të mjeshtërve ishte gati një tabu. Ky ritual mundësonte leximin e tyre jo si një shijues, por si një studiues. Ato të kalonin mes gjithë shtigjeve e peripecive që kish kaluar mjeshtri, që i kish realizuar. Edhe në Institutin e Arteve, të vizatuarit kishte normën më të madhe të orëve dhe kërkohej një lloj realizimi i huazuar prej modeleve dhe kryesisht klasike. Por, kërkesat ishin më të komplikuara mbi konstruktimin tërësor të figurës dhe mbi seleksionimin e formave natyrore. Shijet lindore mbi modelimet e vizatimit, po zëvendësoheshin prej një gjuhe më grafike dhe skematike. Prej pedagogëve, vizatimi servirej i vështirë dhe i paragjykuar, për këtë shkak mësimdhënia pasqyronte udhëkryqet e vetë pedagogëve a profesorëve që jepnin këtë lëndë. Mjaft prej tyre nuk na demonstronin se e njihnin vizatimin, ndonëse ishin piktorë të njohur. Këtu zë fill dhe psikoza e inferioritetit të vizatimit, që shpesh konsiderohej kryesor, por që nënvlerësohej si gjini më vete.

Për mua nuk ka pasur dyshim rreth ekuilibrit dhe harmonisë vizatim – ngjyrë, ashtu si e takonim tek mjeshtërit e mëdhenj. Ekuilibri i veprave të tyre ishte i përsosur mes grafikës dhe ngjyrës, p.sh., si tek: Durer, Rembrandi, Hogarth, Goyo, Corot,Van Gogh, Cezanne, Shiele, Morandi, Picasso, Dali etj.

Gjithmonë ëndërroja të vizatoja si Durer i famshëm, skrupuloziteti dhe forca e të cilit çlironte përfundimisht misterin e së tërës përmes detajit.

Shumë artistë të tjerë të mëdhenj ia kushtuan veprën e tyre tërësisht arteve grafike, me qëllim shprehjet e drejtpërdrejta dhe ekspresive të realiteteve dhe epokave të tyre. Ekspresionistët gjermanë më pëlqenin shumë që në Institut. Influenca e tyre u pikas dhe u ndëshkua në rrjedhën e studimeve të mia. Ishte pikërisht ekspresioni dhe realitetet e forta të jetës që të detyronin të përdorja vizatimin e grafikën si armë për tu mbrojtur dhe reaguar gjithmonë e më shumë me zërin vetjak.

Edhe shembulli i artistëve shqiptarë si: V. Mio, A. Buza, G. Leka, etj., tregon pastër mbi ekspresivitetin dhe fuqinë e binomit grafikë – pikturë. Kjo është shtylla mbajtëse e godinës plot vlera të artit kombëtar.

Gjatë 40 vjetëve të krijimtarisë time, veç pikturave, pjesa më e shumtë e të cilave janë shpërndarë nëpër botë, koleksioni i vizatimeve që kam krijuar është ende i pashpërndarë. Ato pjesërisht janë blerë prej koleksionistëve. Pjesa më e madhe ndodhen nëpër kuti dhe dosje të panumërta si dhe në blloqe vizatimi apo dosje udhëtimesh. Gjithmonë në kërkim të trillit grafik dhe skemave vizatimore, është përdorur çdo herë një bllok i madh mbi të cilën vizatoja në disa teknika, çdo impresion, përjetim, ngjarje, detaj, fytyrë apo vizion që më shfaqej në imagjinatë. Në to, ruhen farat e tablove apo grafikave të mundshme për tu krijuar në të ardhmen. Nëse vendosja të nxirrja lapsat prej xhepit dhe të bëja qoftë dhe një skicë shumë të thjeshtë, kjo do të thoshte se, pas saj çdo gjë mund të ndodhte. P.sh., pas një skice të thjeshtë ka lindur një tablo e madhe për mua si skena tragjike e Borovës martire, Mësonjëtorja e Parë Shqipe etj. Prej këtij arsenali që shtohet çdo ditë me lëndë të re kanë dalë shumë ilustrime të realizuara nëpër revista, gazeta, libra në periudha të ndryshme. Ilustrimet e veprës poetike të Lasgush Poradecit, janë si përkthime figurative të fjalës magjiplotë të poetit, transferuar kryesisht në një figurë grafike. Këtë gjë e ka dëshiruar dhe vetë poeti. Edhe ilustrimi i skenave groteske – patriotike të prozatorit Mitrush Kuteli janë një pasion për vizatimin tim, por dhe për tablotë në vaj, shpesh edhe të mëdha si tek ekspozita Ëine day. Skenat e jetës së përditshme dhe periferike e familjare, mbushur me detaje, imagjinatë, humor dhe grotesk duken si pjesë e rrëfenjave Kuteliane, ndonëse ato janë nxjerrë nga jeta që unë bëj çdo ditë. Tek 35 ilustrimet me të cilat përcillet historia biblike e Tan Tanushit të Mitrush Kutelit synohet të fiksohet një botë mistike dhe tërësore përmes teknikash të komplikuara të mbivendosura të vizatimeve.

Janë dhe tri dosje me shumë vizatime që takojnë disa tema plotësisht intime, për këndvështrimin dhe arsyen pse ato janë bërë. E para përmban mbi 1500 vizatime, të realizuara në natyrë kushtuar qytetit tim. E dyta përmban po kaq vizatime kushtuar Nënës time, e cila ka shërbyer dhe si temë – tabu, derisa ajo ishte në jetë. E treta mori vizatimesh, lidhet me udhëtimet e mia, të cilat i kam provokuar enkas për të vizatuar dhe nxjerrë prej tyre përjetime, skica, pastele, akuarele, deri tablo të vogla në vaj, me prirjen e vetme për të qenë sa më i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë. Mbi 500 të tilla janë realizuar në Paris, ku shkoj çdo vit, Pragë, Venecia, etj. Padyshim edhe për udhëtimet nëpër Shqipëri përshtypjet janë të shumta.

Shpesh, ndaloj për pak dhe them se pse i kam bërë të gjitha këto, mbase ja vlen të bësh aq sa duhet dhe si duhet. Por, problemi është se ndjehem i qetë, i pazoti për të frenuar reagimin tim, kur puna ma do të shprehem menjëherë. Ndoshta ende nuk kam bërë një betejë me atë ushtri vizatimesh, mbase kjo mbetet për tu parë në atë ardhmen. Sidoqoftë, një lloj përpjekje e bëra kur ekspozova 111 drawings një vit më parë në qytetin tim, mes fushatës elektorale. Ato vizatime dhe grafika në formate 50 x 70 të realizuara në teknika të ndryshme mbi letra, flisnin për një realitet grotesk dhe anormal si ky i joni. Ishte një reagim ndaj mërzisë që të shkakton një realitet i konfrontuar politikisht.

Disa miq besojnë se, më shumë se në pikturë, aksionet e mia grafike janë më në përputhje me natyrën time emocionale, e cila nuk pret dot rezultatin që del prej ngathtësisë akademike të krijimit, apo dhe formalizimit të skajshëm të këtyre kuptimeve grafike.

Si një dhuratë e familjes sime ka qenë dhe botimi i grafikave në dru dhe linoleum që pata bërë për shumë vjet. Ato patën fat të përmblidhen në a

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›