E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita, Shqipëria dhe Belgjika lidhin marrëveshje ripranimi

Marrëveshja është një nga akordet e arritura në takimin që ka zhvilluar dje kryeministri Sali Berisha me homologun e tij belg, Yves Leterme


TIRANË - Shqipëria dhe Belgjika do të pranojnë të riatdhesojnë në vendet e tyre të origjinës të gjithë kriminelët dhe personat e tjerë që qëndrojnë në vendet respektive pa leje qëndrimi.


Ky ka qenë një nga akordet e arritura në takimin që ka zhvilluar dje kryeministri Sali Berisha me homologun e tij belg, Yves Leterme, i cili po zhvillon një vizitë dyditore në vendin tonë.


Duke folur pas takimit që zhvilluan me dyer të mbyllura dy kryeministrat deklaruan se një nga rezultatet e këtij takimi është edhe arritja e një marrëveshje ripranimi për personat e padëshiruar.


Si pjesë e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, është shprehur se shumë shpejt do të finalizohet edhe me mbretërinë e Belgjikës një marrëveshje, nëpërmjet së cilës do të bëhet e mundur që të kthehen në vendet e tyre të origjinës të gjithë personat e kërkuar apo ata që kanë emigruar në mënyrë të paligjshme. "Agjencitë tona të zbatimit të ligjit kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.


Po finalizohet marrëveshja për kthimin e të burgosurve në Shqipëri. Unë e sigurova Kryeministrin Leterme që do të firmosim çdo marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës dhe me çdo vend tjetër anëtar të Bashkimit Europian, në interes të luftës më efikase dhe me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar", - tha Berisha në fjalën e vet.


Një marrëveshje kjo që në rastet e vendeve të tjera ka përbërë një rutinë, për kryeministrin belg ka qenë një arritje që do të risë efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme. "Jam i gëzuar që kolegu im Berisha pranoi një marrëveshje lidhur me transferimin e të ndaluarve që janë pa leje qëndrimi.


Kryeministri Berisha deklaroi një hap shumë të rëndësishëm lidhur me luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Unë falënderoj qeverinë shqiptare për gatishmërinë e saj për të nënshkruar një protokoll në këtë fushë", - tha kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme. Një marrëveshje e tillë do të ketë një efekt konkret në drejtim të emigrantëve shqiptarë, të cilët qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Belgjikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›