Vizita e Klinton/ Balla-opozitës: Merrni pjesë në ceremoninë e dekorimit! Ndryshimet në reformën në drejtësi, jo pa miratimin e SHBA-BE

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka bërë thirrje nga foltorja e Kuvendit, opozitës, që të jetë e pranishme në dekorimin e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, nga kryeministri Edi Rama me Yllin e Mirënjohjes Publike.
Sipas Ballës, fakti që ish-prësidenti do të dekorohet nga Kryeministri Edi Rama, nuk duhet të jetë pengesë për opozitën që të jetë pjesë e kësaj ceremonie, nisur dhe nga fakti që sipas tij, opozita i konsideron marrëdhëniet me SHBA-të si strategjike.
Dekorimi i Klinton, sipas Ballës, vjen pas kontributit të rëndësishëm që ish-presidenti ka dhënë në pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës dhe për marrëdhëniet e shkëlyera SHBA-Shqipëri.
“Vizita e Klinton është e mirëseardhur dhe unë mendoj se gjithë opozita që e konsideron marrëdhënien me SHBA strategjike duhet të jetë pjesë e këtij momenti sot, ku kryeministri do të dekorojë z.Klinton për kontributin e rëndësishëm të tij për pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës por dhe marrëdhëniet e shkëlqyera SHBA-Shqipëri. Fakti që dekorohet nga Rama nuk duhet t’iu pengoj por të vini dhe të nderoni veten dhe atyre që ju kanë zgjedhur”, tha Balla.
Ky i fundit u ndal dhe te reforma në drejtësi. Kreu i grupit parlamentar socialist vuri theksin te nevoja për një rezolutë të vetme për drejtësinë në tërësi.
Balla u shpreh se ndryshimet në reformën në drejtësi nuk do të bëhen pa marrë konsensusin e SHBA-BE.
“E kam thënë dhe njëherë, Kuvendi duhet të shprehet me një rezolutë për drejtësinë në tërësi. Më duken e pavend dhe kemi bërë një mbledhje grupi sot, rezoluta të veçanta, por një për drejtësinë në tërësi. Vitin tjetër ta adresojmë.
A ka nevojë të bëjmë më efektive reformën në drejtësi, pas 5-6 vitesh për të parë çfarë duhet rregulluar? Patjetër që ka.
Fund korriku i kaluar ka pasur diskutime, në shtator ngritëm një grup pune, janë njerëzit e duhur që mund ta bëjnë shumë mirë atë punë. Ata kanë bërë proces të hapur sepse kanë ftuar institucionet të sjellin propozimet.
Ne pa u dakordësuar me SHBA-BE nuk bëjmë ndryshme në reformën në drejtësi. Pa marrë miratimin e partnerëve, nuk i bëjmë ndryshimet.
Këto janë çështje të rëndësisë kombëtare.
Takim me miqtë ndërkombëtar, ata pa të cilët s’do e bënim dot reformën. Të miratojmë në seancën e fundit, ose ta fillojmë shtatorin me miratimin e të gjithë këtyre ndryshimeve”, tha Balla.
/rtsh.al/