Vizita e Papa Gjon Palit më 1979 ka lënë mbresa tek amerikanët

Papa Benedikti XVI fillon të martën vizitën e tij të parë në Shtetet e e Bashkuara. Është planifikuar që ai të takohet me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë dhe të mbajë një fjalim në Kombet e Bashkuara dhe të japë mesha në stadiumet e hapura të Nju Jorkut dhe Uashingtonit. Papa do të vizitojë edhe Universitetin Katolik të Amerikës, ashtu si paraardhësi i tij, Papa Gjon Pali i Dytë në vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara.
Shumë njerëz e kanë ende të freskët në kujtesë atë vizitë historike. Ishte tetor i vitit 1979.
Papa Gjon Pali"Më kujtohet 1979 si të ishte dje. Ky është një nga ato momente në jetë që nuk harron kurrë se ku ke qënë dhe çfarë ishe duke bërë”, - thotë Frank Persiko, nënpresident për marrëdhëniet universitare në Universitetin Katolik të Amerikës.
28 vjet më parë ai sapo ishte diplomuar dhe u caktua të shërbente si ndihmës i Papës. Ai flet për atë përvojë ne një film të xhiruar nga universiteti.
"Pata privilegjin të punoj në Qendrën Krovë, që atëhere ishte një palestër e vjetër dhe ishte transformuar në një skenë të bukur për vizitën e Papës. Atëhere pata rastin të isha aty dhe t'u tregoja personaliteteve se ku të uleshin”.
Zoti Persiko dhe të tjerë në film flasin për Papën si një njeri i ngrohtë dhe shumë tërheqës.
"Dhe disa qindra studentë ishin mbledhur në shkallët e Bazilikës për të pritur Papën, ardhja e cilit e entuziasmoi së tepërmi masën dhe ai njeri tejet dinamik u shkri me turmën”,- kujton profesoresha e Universitetit Katolik, Elen Uolter.
"Natyrisht unë kisha studentë që ishin katolikë, jo-katolikë dhe hebrej. Ata përjetuan të njejtën përvojë. Ishte një ndjenjë e përgjithëshme që pushtoi të gjithëve pa përjashtim”, - thotë ajo.
"Mendoj se një prirje e veçantë e Papës Gjon Pali i Dytë, që të gjithë e donin, ishte se ai ishte i gatshëm të futej mes njerëzve”, - thotë zoti Persiko. "Çdokush donte të ishte pranë tij dhe ai e merrte energjinë nga turmat, ai merrte frymëzimin nga turmat e njerëzve”.
Më pak se dy vjet pas vizitës së Papës në Uashington, ai u plagos gjatë një tentative për atentat në Vatikan. Por megjithëse ai u shërua, afërsia e tij më turmat e njerëzve, që i jepte kënaqësi të veçantë, nuk do të ishte kurrë si më parë.
Papati i Gjon Palit do të vazhdonte edhe për një çerek shekulli pas atij atentati. Ai udhëtoi nëpër botë për të nxitur paqen dhe pajtimin, dhe madje disa historianë njohin ndikimin e tij në rënien e komunizmit. Ai vdiq në vitin 2005, pasi kishte rënë së tepërmi fizikisht. Por zoti Persiko beson se origjina e arritjeve të tij daton që në vitin 1979.
"Ai qe i aftë t'i vinte vulën e tij Papatit që prej fillimit dhe të na çonte drejt asaj bote krejt të re në të cilën jemi sot”,- thote zoti Persiko. Dhe për ata që e përjetuan këtë vizitë, kujtimet nuk do të shuhen kurrë.//lk